Gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, deklaroi se nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti po ndodh një “diskriminim pozitiv” ndaj komuniteteve të caktuara.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se ekzekutivi ka akorduar fonde më të mëdha për qytetarët e komunave me shumicë serbe sesa për ata të komunave shqiptare.
“Dua të njoftoj publikun se kemi të bëjmë me një diskriminim pozitiv që favorizon vetëm një komunitet, atë të komunave me shumicë serbe. Nëse bëjmë krahasimin e buxheteve, Zveçani ka marrë 1.134 euro për frymë, Ranillugu 1.046 euro për frymë dhe Zubin Potoku 1.027 euro për frymë, ndërkohë që një banori të Prishtinës i takojnë vetëm 381 euro për frymë. Pra, Albin Kurti po ndan trefish më shumë para për kokë banori për serbët që jetojnë në komuna me shumicë serbe, si Zveçani, Ranillugu dhe Zubin Potoku, e kështu me radhë, ndërsa dyfish më tepër se sa për qytetarët e komunave me shumicë shqiptare,” u shpreh Rrahmani.
Nga ana tjetër, kryesuesi i komisionit Fahrush Rexhepi i kërkoi deputetit që t’i referohej Kurtit me titullin kryeministër, gjë që shkaktoi debate të mëtejshme mes anëtarëve.
“Në këtë rast po flas si kryesues dhe sigurisht që gjithmonë do të përpiqem të kontribuoj për hapjen e diskutimit. Albin Kurti duhet ta dijë se është kryeministër dhe mendoj se është më korrekte t’i drejtohemi si kryeministër Albin Kurti,” tha Rexhepi.
Debati u ndez edhe më shumë kur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ndërhyri duke i kërkuar Rexhepit të mos e merrte rolin e zëdhënësit të Qeverisë.
“Faktet janë të qarta. Unë jam anëtare edhe në Komisionin për Buxhet dhe e di se ekziston një diskriminim, por ai është maskuar përmes një aktvendimi të Gjykatës Kushtetuese për shkak të përvojës së punës. Qeveria di si t’i fshehë këto gjëra, dhe këtu nuk duhet ta marrësh rolin e zëdhënësit. Ti e merr fjalën njësoj si ne,” u shpreh Haxhiu.
Rexhepi i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se asnjëherë nuk ka pranuar udhëzime apo urdhëra nga Qeveria.
“Jeni plotësisht të bindur se unë kurrë në jetën time nuk kam marrë asnjë rekomandim apo imponim nga askush. Asnjë personi nuk i kam kërkuar mendim për asgjë, asnjëherë,” tha Rexhepi.




