Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vijuar rigjykimi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij nga Argjentina, Maria Clara Urdangaray.
Të lidhura
None found
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Nika dyshohet se në vitin 2023 e ka hedhur Urdangaray-n nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë.
Në seancën e së enjtes dëshmoi Fehmi Zabeli, menaxher në hotel. Ai deklaroi se nuk e kishte parë më parë as të akuzuarin dhe as viktimën, ndërsa për ngjarjen ishte informuar pasi e kishte telefonuar roja i objektit.
“Jo, nuk i kam parë asnjëherë”, tha Zabeli kur u pyet nëse kishte rastisur t’i shihte Endrit Nikën dhe Maria Clara Urdangaray-n.
Dëshmitari tregoi se natën kur ndodhi rasti kishte qëndruar në hotel, ku banonte gjatë sezonit, në një dhomë dy kate mbi vendin ku dyshohet se ndodhi ngjarja.
“Kam qenë në hotel se gjatë sezonës qëndroj aty, aty flej. Kam qenë dy kat më lart sesa dhuna që ka ndodhë në rastin. Derisa më kanë telefonuar, nuk kam ditë asgjë. S’kam dëgjuar asgjë, më ka telefonuar roja, me emrin Ramiz. Pas pesë minutave kam dalë poshtë, se më ka thënë që ka rënë një grua”, deklaroi ai.
Zabeli tha se më pas e kishte lajmëruar Mirlindin, menaxherin tjetër të hotelit, i cili në atë moment ishte duke fjetur. Kur kishte zbritur, ai nuk e kishte parë viktimën.
“Kur zbrita, nuk e kam pa vajzën, por pjesëtarët e policisë një djal edhe disa xhama, nuk e disha çka ka ndodhë”, u shpreh dëshmitari.
Ai shtoi se më vonë ishte paraqitur në polici, ku ishte identifikuar dhe kishte dorëzuar letërnjoftimin.
“Kam shku te policia, jam prezantu, ia kam dhënë një letërnjoftim. Më pas kanë ardhë patrullat tjera edhe më pas zbriti Mirlindi. Kam qëndru në recepsion dhe më pas kam shku me pushu, se kam pas mu qu herët. Kam qëndruar një dy orë dhe kam shku me fjetë”, deklaroi Zabeli.
I pyetur nëse kishte parë pas ngjarjes pamjet e kamerave të sigurisë ku shfaqeshin Nika dhe viktima, ai fillimisht u përgjigj se nuk i kishte parë.
“Jo, nuk kam pa kamera”, tha ai.
Megjithatë, pas pyetjes së radhës, Zabeli sqaroi se një pjesë të shkurtër të incizimeve e kishte parë, ndërsa pjesën tjetër e kishte ndjekur përmes mediave.
“I kam pa një pjesë shumë të shkurt kur ka ra ajo vajza, pjesën tjetër e kam pa në media”, u shpreh ai.
Pas tij, para trupit gjykues dëshmoi edhe Mirlind Zeqiri, menaxher tjetër i hotelit. Ai iu përgjigj pyetjeve të avokatit Tomë Gashi, mbrojtës i Endrit Nikës, për vendndodhjen e tij gjatë natës kritike, sistemin e kamerave dhe incizimet e administruara gjatë hetimeve.
Zeqiri deklaroi se në momentin e ngjarjes ndodhej në hotel dhe po flinte në një dhomë dy kate mbi atë ku dyshohet se kishte ndodhur rasti.
“Momentin e rastit kam qenë në hotel, në dhomë dy kate më lartë se dhoma ku ka ndodhur rasti. Kam qenë fjet. Mua më ka njoftuar djali i hallës, Fehmi Zabeli, i cili është përgjegjës i restorantit. Erza ka tentu me më telefonu, nuk e kam dëgju telefonin, pastaj më kanë thirrë te dera”, deklaroi ai.
Kur u pyet nëse e kishte parë veten në pamjet e kamerave gjatë asaj nate, Zeqiri tha se nuk i kujtohej.
“Kamerat nuk i mbaj mend, nuk më kujtohet që e kam parë veten në kamera natën kritike”, tha dëshmitari.
Për sistemin e sigurisë, ai konfirmoi se në hotel kishte kamera brenda dhe jashtë ndërtesës, por jo në çdo hapësirë.
“Po, ka pas edhe kamera jashtë edhe brenda. Vetëm korridoreve, jo shkallëve, nuk ka pasur, edhe brenda në lift nuk ka pas”, sqaroi Zeqiri.
Avokati Gashi e pyeti atë edhe për deklaratat e dhëna në Prokurori, duke i përmendur se atje kishte folur vetëm për një kamerë.
Zeqiri shpjegoi se si në gjykatë, ashtu edhe në Prokurori, ishte pyetur lidhur me pamjet e korridorit, ku kishte vërejtur lëvizjet e të akuzuarit.
“Në gjykatë dhe Prokurori jam pyetur për pjesën e korridorit. Aty e kam sqaru, i kam pa lëvizjet e Endritit, i cili ka lëvizë prej derës së dhomës deri te ashensori. Gjatë kohës sa i kemi tërheq incizimet, se a jemi duke i tërheq pjesën e duhur, më ka ra në sy lëvizjet e Endritit që i ka bërë nga dera e dhomës deri te ashensori”, deklaroi ai.
Me dëshmitë e dy menaxherëve përfundoi seanca e radhës e rigjykimit. Seanca e ardhshme është caktuar për 9 nëntor, në orën 09:30, ndërsa seancat pasuese do të zhvillohen më 12 nëntor, gjatë gjithë ditës, si dhe më 20 nëntor.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Maria Clara Urdangaray kishte marrë lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte vdekur në QKUK.
Endrit Nika ishte dënuar në shkurt të vitit 2026 me 18 vite burgim, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.







