Një aksion i suksesshëm policor është zhvilluar sot në veri të vendit, si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe besimit të ndërsjellë mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve, të cilët edhe më herët kanë dhënë informacione me rëndësi që kanë ndihmuar në zbulimin dhe konfiskimin e armëve ilegale.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të siguruara gjatë komunikimit të rregullt me qytetarët, zyrtarët policorë kanë marrë informacion se në një shtëpi të pabanuar në fshatin Lucka Reka, në komunën e Zubin Potokut, mund të ndodheshin armë dhe mjete të tjera të paligjshme.
Pas pranimit të këtij informacioni, njësitë policore kanë reaguar menjëherë, duke ndërmarrë veprime të shpejta dhe profesionale dhe duke ushtruar kontroll në vendin e dyshuar.
Nga kontrolli janë gjetur dhe sekuestruar:
– Një armë të gjatë gjysmë automatike;
– 392 fishekë të kalibrit 7.62 mm;
– 123 fishekë kalibër 7.9 mm;
– 15 fishekë të pushkës së gjuetisë;
– 11 fishekë të pushkës së gjatë;
– 3 fishekë manovrues;
– 18 fishekë të armës së shkurtë;
– 2 fishekë të armës së gjatë;
– 6 gëzhoja të llojeve të ndryshme;
– 1 bajonetë
Për të gjitha veprimet e kryera është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Deri në këto momente nuk është arrestuar asnjë person lidhur me këtë rast, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitë përkatëse.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke i nxitur që edhe më tej të raportojnë çdo informacion me rëndësi përmes numrit emergjent 192. Sipas policisë, vetëm nëpërmjet një partneriteti të ngushtë mes qytetarëve dhe institucioneve të rendit mund të sigurohet një mjedis i qetë, i sigurt dhe paqësor për të gjithë, pa dallim.
