Takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar më 02.09.2026, pas rreth dy orësh diskutime.
Të lidhura
None found
Biseda, e zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe e nisur në orën 16:00, kishte në fokus tejkalimin e ngërçit politik dhe gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Pas përfundimit të takimit, Albin Kurti nuk dha deklaratë për mediat. Ndërsa Lumir Abdixhiku u shpreh se mund të ketë një tjetër takim mes tyre.
“Do të përpiqemi të takohemi sërish”, deklaroi shkurt Abdixhiku.
Takimi u mbajt pas zhvillimeve brenda LDK-së, ku gjashtë deputetë të kësaj partie kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin marrëveshjen me VV-në dhe kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Mospajtimet u bënë publike nga Abdixhiku një ditë më parë, pas takimit me Grupin Parlamentar të LDK-së. Sipas tij, refuzimi i gjashtë deputetëve për të përkrahur Sejdiun e çon vendin pashmangshëm drejt zgjedhjeve.
Rikthimi i Kurtit dhe Abdixhikut në tryezën e bisedimeve lidhet pikërisht me këtë situatë të ndërlikuar politike. Mbetet për t’u parë nëse një takim i ardhshëm do të prodhojë zgjidhje apo nëse Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
