Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj akuzave të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, në lidhje me gjendjen në Deponinë e Sverkës.
Të lidhura
None found
Pacolli hodhi poshtë pohimet se Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) e administron këtë deponi, duke theksuar se Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti” është ajo që mban përgjegjësi të plotë për menaxhimin e saj.
Ajo e kundërshtoi ashpër Bajramin për kallëzimin penal që kjo e fundit ka depozituar kundër Qeverisë dhe kërkoi që organet e drejtësisë ta hetojnë çështjen.
Duke theksuar se Deponia e Sverkës nuk është menaxhuar në përputhje me normat e kërkuara, Pacolli shtoi se KMDK i ka ofruar këshillim kompanisë “Ambienti” për të ndarë shtresat e mbetjeve me dhe, ose materiale të tjera jo të ndezshme.
Ajo siguroi se Ministria e Mjedisit ka kryer detyrat që i takojnë dhe bëri të ditur se Inspektorati i ka vënë një dënim prej 5 mijë eurosh KRM “Ambienti” për shkelje të standardeve.
Në vijim të reagimit të saj, Pacolli ngriti akuza ndaj LDK-së dhe Bajramit për atë që e quajti “viktimizim”, duke pretenduar se deputetja po orvatet të mbrojë udhëheqësit e kompanisë “Ambienti”.
“Deponinë e Sverkës e drejtojnë njerëzit e Gazit, të cilin ti po mundohesh ta mbrosh duke u kthyer në centrifugën e përgjegjësisë së tij,” shkroi Pacolli në reagimin e saj.
Ajo shtoi se KMDK ka ndihmuar kompaninë “Ambienti” në terren, por pretendoi se asnjë zyrtar apo punonjës i kësaj kompanie nuk ishte i pranishëm për të mbikëqyrur punimet.
Në përmbyllje, Pacolli shprehu gatishmërinë e saj që Prokuroria të zhvillojë një hetim të plotë, duke theksuar se vetëm përmes një procesi të tillë do të mund të identifikoheshin përgjegjësit e vërtetë për situatën e krijuar në Deponinë e Sverkës.
