Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Evropës dhe SHBA-së edhe nën administratën e presidentit Donald Trump. Osmani teksa ishte në Hungari në Samitin e Komunitetit Politik të Evropës theksoi se nuk e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit pasi Kosova gjithnjë ka pasur mbështetje si nga republikanët, po ashtu edhe demokratët. Gjithashtu duke folur për Samitin e Komunitetit Politik të Evropës Osmani tha se është një mundësi e mirë për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje për sfidat.
“Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën të presidentit Trump. Nuk e shoh si kërcënim. Kosova, në fakt, ka përfituar për dekada nga një mbështetje dypartiake nga Shtetet e Bashkuara. Ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet. Ne u bëmë të lirë kur demokratët ishin në pushtet… Ne kemi punuar shumë ngushtë me çdo administratë dhe besoj fuqimisht se do të vazhdojë të jetë kështu”, tha Osmani.