Osmani kërkon të mos merren seriozisht kërkesat e Vuçiçit: Vetëm fjalë e retorikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, të mos merren seriozisht pasi, siç tha ajo, ai nuk e do me të vërtetë rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por vetëm dëshiron ta tërheqë vëmendjen e Perëndimit.

“Kur Vuçiqi flet për rithikimin e tyre [serbëve në institucione], ai i prezanton ato vetëm si fjalë e retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë – që janë përpjekjet e tij, qeverisë së tij, ushtrisë së tij, në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare, të cilat kanë qëllim vetëm dhunën”, tha Osmani gjatë një ngjarjeje në Prishtin.

Javën e kaluar Vuçiq bëri thirrje për riintegrimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, ndër të tjera, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

Ai gjithashtu njoftoi më 14 shtator se ka nënshkruar marrëveshjë për rikthimin e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë.

Osmani, gjatë deklarimit për media, përsëriti se nuk beson se këto janë kërkesa të sinqerta të Vuçiqit, por shtoi se vetë institucionet e Kosovës duhet të punojnë “që të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht etnisë, të jenë të barabartë”.

“Kjo [mosbesimi ndaj deklaratave të Vuçiqit] nuk do të thotë që ne si institucione të Kosovës të mos punojmë afër me të gjithë qytetarët tanë të nacionalitetit serb, në mënyrë që, në përputhje me procedurat e ligjshme ata të jenë prezent në të gjitha institucionet e Kosovës”, shtoi Osmani.

Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.

Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.

Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte quajtur këto kërkesa “jopaqësore” dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja”.

“Kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, kishte thënë Kurti në komentin e tij të parë për thirrjet e Vuçiqit, të cilat Bashkimi Evropian i mirëpriti si një lëvizje pozitive./REL


Shtuar 17.09.2024 18:31

Tags: ,