Opozita bojkotoi seancën për zgjedhjen e Presidentit, Kurti: LDK përbuzi çdo ofertë tonën! Afati kushtetues po përfundon, dështimi çon në zgjedhje të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë fjalën në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme të thirrur për diskutim lidhur me çështjen e presidentit, mbledhje të cilën partitë opozitare e kanë bojkotuar.

Ai e ka nisur fjalimin duke theksuar se vendi ndodhet në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe se çdo dështim në këtë proces do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.

Të lidhura

None found

“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Dështimi e dërgon vendin në zgjedhje të reja, që do të ishin të pestat me radhë prej 16 muajve”, tha Kurti, duke shtuar se zgjedhjet e shpeshta do të ndikonin në frenimin e punës së qeverisë.

Kurti kritikoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për siç tha “përbuzje të ofertave” për marrëveshje politike, ndërsa theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shmangur asnjëherë përgjegjësinë për qeverisje.

“Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme”, u shpreh ai.

Kurti tha se partitë opozitare kanë bërë bllokada të njëpasnjëshme institucionale për ta “dëmtuar fituesin e zgjedhjeve”.

“Marrëveshje politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale. Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike.”, tha ai.

Ai shtoi se në marrëveshje politike duhet pasur parasysh dallimet në peshën elektorale, gjegjësisht votave që ka secila parti.


Shtuar 27.04.2026 18:24