Pesë vite më parë, UEFA vendosi të njohë Kosovën si përfaqësuese me të drejta të plota dhe pas kësaj Federata Dardane nisi punën intensive për të formuar një kombëtare të fortë, me qëllim grumbullimin e lojtarëve më të mirë me origjinë dardane.
Gramoz Vokrri, djali i legjendës Fadil Vokrri, tregon se shumë pranë kalimit te Kosova ka qenë një nga lojtarët më të mirë shqiptarë ndonjëherë, Xherdan Shaqiri. Gjilanasi në fund nuk kaloi te Kosova për shkak se nuk ishte e sigurt nëse FIFA do e pranonte kërkesën e yllit të Liverpool.
“Xherdan Shaqiri deri në momentin e fundit, deri një ditë para vendimit të UEFA, ka qenë shumë afër kalimit te Kosova. Ai nuk u bashkua, sepse nuk kishim siguri nga organet e FIFA-s nëse do pranohej kërkesa e tij apo jo, pasi nuk kishte një vendim të prerë.
Rrezikonte të humbte shumë gjëra, jo vetëm vendin te Zvicra. Gjithsesi unë e çmoj lart lobimin, që kanë bërë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe të tjerët, pasi nuk janë vetëm këta, por janë rastet më të bujshme sepse janë emra të mëdhenj të futbollit”, tregoi Gramoz Vokrri.