Ministria e Jashtme e Kosovës e konfirmon: Personi i vrarë në Serbi është Faton Hajrizi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka dalë me një njoftim lidhur me rastin e Faton Hajrizit, i cili u ekzekutua nga policia serbe, pasi e akuzonin si autor i vrasjes së efektivit serb. Ministria thotë se janë njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22 korrik, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi. Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Faton Hajrizi ka tentuar të kalojë Drinën dhe të arratiset në Bosnje dhe Hercegovinë, por nuk ia ka dalë, prandaj është fshehur në një kompleks të braktisur fabrikash. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë publikoi fotografinë e një të dyshuari për krime, kur njëri nga vendasit raportoi se kishte parë një person me atë përshkrim pranë ish-pompës së karburantit të Viskozës. Ai u lokalizua dhe u vra ndërsa pretendohet se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se Hajrizi ka qëlluar në drejtim të policëve duke bërë rezistencë.

Fillimisht, autoritetet serbe shpallën në kërkim vëllain e Fatonit, Artan Hajrizin, meqë në vendngjarje u gjetën dokumentet e tij personale, pasaporta e Republikës së Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë. Artani lajmëroi se ndodhet në Gjermani dhe se nuk ka lidhje me rastin. Për dokumentet që iu gjetën në vendin ku u krye krimi, ai akuzoi vëllain e tij, Fatonin, se ia ka vjedhur sa ishte në Gjermani.

Vrasja e policit serb ka ndodhur pak pas mesnatës së të mërkurës (18 korrik) gjatë kontrollit të automjetit në pikën kufitare në Lipnicki Sor në Loznicë. Punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet tip “Mercedes” të drejtuar nga taksisti Mithat Haxhiç nga Tutini, por pasagjeri në mjet ka hapur zjarr në drejtim të tyre. Nikolla Krsmanoviç ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa kolegu i tij Vjekoslav u plagos rëndë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Shtuar 22.07.2024 20:46