Një ditë para seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po zhvillohet protesta “Jo në emrin tim”, kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së.
Të lidhura
None found
Protesta e mbrëmjes së sotme është e 19-ta me radhë, ndërsa organizimi i tyre nisi më 16 shtator, pas vendimit të Gjykatës Speciale që shkaktoi reagime të shumta.
Organizatorët kërkojnë që sa më shpejt të miratohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Seanca plenare është thirrur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për të hënën, 5 tetor, në orën 09:00. Shqyrtimi i parë i këtij projektligji është pika e parë e rendit të ditës.
Para nisjes së seancës, në orën 8:00, Komisioni për Legjislacion do të shqyrtojë projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Qeveria e Kosovës deklaroi ditë më parë se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për nismën e PDK-së, e cila synon ndryshimin e këtij ligji.
Sipas nismës së PDK-së, projektligji propozon rishikimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Ndër të tjera, ai hap mundësinë që rastet e vlerësuara si jashtë juridiksionit të tyre të ndiqen në Kosovë, të lejohet ankimi në Gjykatën Supreme të Kosovës, dënimi maksimal të kufizohet në 15 vjet dhe dënimet të vuajen në Kosovë.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu mundësinë që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të përfitojnë nga falja presidenciale.
Debati për këtë projektligj po zhvillohet në një periudhë kur Kuvendi i Kosovës ndodhet pranë përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, pas konstituimit të Kuvendit, dhe skadon më 6 tetor. Në rast se presidenti nuk zgjidhet deri në këtë datë, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
