I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin nesër, më 9 shtator.
Qëllim i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin [e Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq”, konfirmoi Stano.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan ditë më herët se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.
“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.
Aktualisht, sfidë mbetet çështja e targave të makinave.
Më 1 shtator, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit të saj për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje, përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por këtë gjë Prishtina e refuzon.
I pyetur për planifikimin e ndonjë rundi të mundshëm të bisedimeve midis bartësve kryesorë të dialogut, Kurti dhe Vuçiq, Stano tha:
“Për këtë, ne gjithmonë duhet të kemi një marrëveshje nga të dyja palët. Kjo do të thotë se ato duhet të bien dakord për kohën dhe agjendën e atij takimi”.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 18 gusht, pas tensioneve në veri, por nga ai takim nuk doli asnjë marrëveshje./express