Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim me homologun e tij kroat, Andrej Plenković, gjatë qëndrimit në Nju-Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Gjatë bisedës u trajtuan marrëdhëniet mes dy vendeve, zhvillimet në rajon, bashkëpunimi në siguri e mbrojtje, integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës, si dhe zhvillimi ekonomik i saj.
Kurti bëri të ditur se në takim ngriti edhe çështjen e vendimit të Dhomave të Specializuara, duke vënë në dukje, sipas tij, pabarazinë e padrejtë në ndarjen e përgjegjësisë për luftën.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua personave të zhdukur, varrezave masive të zbuluara së fundmi në Kosovë dhe pengesave që krijon mos-hapja e arkivave nga Serbia. Po ashtu, u përmend diskriminimi i vazhdueshëm administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kryeministri kosovar përshëndeti bashkëpunimin ndërmjet ministrive të drejtësisë të Kosovës dhe Kroacisë për rastin e Bajram Bajramit, i cili ishte ndaluar padrejtësisht në Kroaci dhe u lirua sot.
Kurti vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Kroacinë në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake, si dhe mbështetjen e Zagrebit për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe për avancimin e saj në strukturat euroatlantike. Në takim u shkëmbyen gjithashtu qëndrime mbi sfidat e sigurisë në rajon, ndikimin e Rusisë dhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit mes vendeve dhe partnerëve.
