Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po vazhdojnë prej rreth dy orësh bisedimet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Takimi mes tyre ka filluar rreth orës 16:00, pasditen e sotme, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Kurti dhe Abdixhiku janë rikthyer në tryezën e diskutimeve pas zhvillimeve brenda LDK-së. Megjithëse dy kryetarët kishin arritur marrëveshje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, gjashtë deputetë të LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin këtë ujdi.
Një ditë më parë, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdixhiku deklaroi në një konferencë për media se gjashtë ligjvënës të partisë së tij ishin pozicionuar kundër marrëveshjes me VV-në.
Në atë mbledhje, kreu i LDK-së kishte diskutuar me deputetët e partisë për qëndrimin e tyre ndaj kandidaturës së Sejdiut.
Pas përfundimit të mbledhjes, Abdixhiku tha se refuzimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për ta votuar Bekim Sejdiun për president e dërgon vendin në mënyrë të pashmangshme drejt zgjedhjeve.
Mbetet e paqartë nëse bisedimet e reja mes Kurtit dhe Abdixhikut do të prodhojnë një zgjidhje për situatën e krijuar, apo nëse Kosova do të përballet me zgjedhje të reja.
