Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë të dhënë më herët me gazetën kroate, foli edhe për asociacionin. Kujtojmë se SHBA kërkoi themelimin e Asociacionit. Në intervistën e dhënë Kurti i ndal edhe tek ndërkombëtarët për të cilët tha se kanë mbajtur anën e Serbisë në mënyrë drastike,.
“Asociacioni duhet të zbatohet, Republika Srpska nuk është e mundur’, ka thënë ai.
Pjesë nga intervista:
Veçernji List: Por aty përmendet edhe formimi i Asociacionit të Komunave Serbe? A është kjo e pranueshme për ju?
Kryeministri Kurti: Neni 7 flet për vetë-menaxhimin e komunitetit serb, i cili lidhet me nenin 10, i cili thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese, duhet të zbatohen plotësisht. Kemi 39 marrëveshje të tilla. Dy prej tyre i referohen asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 dhe 2015.
Unë kam thënë siç e shoh, jam gati për atë që komuniteti serb në Kosovë të organizohet më mirë për të marrë sa më shumë shërbime publike cilësore dhe që të respektohen të gjitha të drejtat e tyre, të cilat janë mjaft të gjera sipas planit të Ahtisarit, por e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Mustafa, në të cilën shkruan se ai asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes. Por në të njëjtën kohë kemi edhe qëndrimin e qeverisë amerikane, i cili është publikuar në një tekst në të cilin shkruhet se asociacioni duhet të jetë një koordinim i kompetencave ekzistuese që kanë komunat.
Për ne, etnonacionalizmi territorial është absolutisht i papranueshëm. Ky lloj nacionalizmi e ka të domosdoshëm shovinizmin dhe aparteidin, ai është në kundërshtim jo vetëm me shoqërinë qytetare, por madje edhe me nacionalizmin nacional-çlirimtar.
Ne kemi ofruar një draft vizion për komunitetin serb në Kosovë, i cili është frymëzuar nga modeli kroat i vetëmenaxhimit përmes Këshillit Kombëtar Serb. Vuçiq nuk donte të dëgjonte për të apo ta lexonte. Ai dëshiron bashkimin e komunave me shumicë serbe kundër shtetit tonë, siç është bërë në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1991. Në Kosovë 4% e popullsisë janë serbë. Por ata kanë 10 nga 38 komuna, kanë 10 vende të rezervuara nga 120 në Parlament dhe kanë 17 për qind të asambleistëve komunal në komunat tona. Po ashtu, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në mbarë Kosovën në të gjitha nivelet e administratës. Do të thotë, në Kosovë ka diskriminim pozitiv, por Beogradi dëshiron Republikën Srpska brenda Kosovës.
Kjo, sigurisht, nuk është e mundur. Jo vetëm që nuk është e dëshirueshme, por edhe nuk është as e mundur. Në të njëjtën kohë, Beogradi nuk dëshiron të hapë çështjen e reciprocitetit, sepse në Serbi ka më shumë pakica kombëtare sesa në Kosovë. Do të thotë, nëse doni diçka për serbët diku tjetër, duhet të mendoni edhe për pakicat në vendin tuaj. Në spitalin e Vranjës, i cili mbulon Preshevën dhe Bujanocin, në rrethin e Pçinjit, nuk ka asnjë mjek shqiptar, ndërsa së paku një e treta e pacientëve janë shqiptarë.
Në Luginën e Preshevës, në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë po bëhet spastrim i ftohtë etnik i heshtur administrativ duke anuluar adresat e banorëve shqiptarë. Nëse policia ju troket në derë dhe nuk jeni aty, ju fshijnë nga regjistri. Ata duan të thonë se askush nuk jeton këtu. Në një farë mënyre, për t’u regjistruar atje si banor, duhet të jesh gjatë gjithë kohës në shtëpi.
Veçernji List: Çfarë dëshiron realisht presidenti i Serbisë?
Kryeministri Kurti: Revizionizëm historik. Më 5 dhjetor 2019 ai mohoi masakrën e forcave serbe në Reçak më 15 janar 1999, duke e quajtur atë “ngjarje të fabrikuar”. Të njëjtin mohim e ka përsëritur edhe ky Aleksandri tjetër, Vulin, më 10 dhjetor 2021. Por së pari duhet të them se kjo nuk është çështje e qëllimeve të presidentit të Serbisë, por e karakterit të shtetit të tyre si i tillë. Ata duan homogjenizimin e serbëve për hegjemoninë e Serbisë.
Ata as nuk mund ta imagjinojnë, e lëre më ta përcaktojnë Serbinë pa hegjemoni. Ata i përkasin asaj rryme që disa e quajnë demokraci joliberale, e cila as nuk beson në të drejtat e njeriut dhe as nuk toleron pluralizmin politik. Në këtë kuptim, partia kryesore politike në Serbi është Kisha Ortodokse Serbe. Prandaj Vuçiq dhe Dodik duken si këshilltarë të patriarkut. Ka tre dekada që ata flasin në mbarë botën për fundamentalizmin islamik në Ballkan për të përhapur kështu më lehtë fundamentalizmin e tyre ortodoks. Ata duan një shtet, një kishë, një lider dhe një parti politike.
Ata imagjinojnë se vetëm homogjenizimi i kombit mundëson hegjemoninë territoriale të shtetit. Kundër kësaj qëndrojmë ne, popujt që u shtypën dhe u eksploatuam nga Serbia për më shumë se një shekull dhe ku ajo bëri gjenocid disa herë, sepse donte tokën tonë pa ne. Faktori i tretë është bashkësia ndërkombëtare, e cila, sipas meje, ose nuk e kupton ose mbyll veshët dhe sytë para një fakti që ne, popujt e Ballkanit, e dimë, dhe kjo është se presidenti Vuçiq e don dhe i frikësohet Kremlinit më shumë sesa Brukselit apo Uashingtonit. Zoran Gjingjiq, i cili luftoi kundër krimit të organizuar në Serbi dhe intelektualisht ishte shumë më i thellë dhe i orientuar drejt perëndimit, mbase do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Ai u vra. Tani Aleksandar Vuçiq as nuk lufton kundër krimit të organizuar dhe as nuk dëshiron ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Unë kam dalë nga burgjet serbe para më shumë se dy dekadash, por Vuçiq nuk ka dalë nga koha kur unë isha në burg. Mbase burgu nuk është vetëm ai me grila.