Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve (KShLM) ka shpallur thirrjen për aplikim për ofrues të programeve të trajnimit për mësimdhënësit në shërbim dhe punonjësit arsimorë, si edhe për vetë programet e trajnimit për këto kategori.
Kjo thirrje është hapur duke u mbështetur në Udhëzimin Administrativ 12/2023, që përcakton kriteret dhe procedurat për aprovimin e programeve për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe punonjësve arsimorë, si dhe në Kornizën strategjike për zhvillimin e mësimdhënësve në Kosovë.
Të lidhura
None found
Të drejtën për të aplikuar si ofrues të programeve të trajnimit e kanë të gjithë personat juridikë të regjistruar në Republikën e Kosovës, por edhe në vende të tjera, të cilët ofrojnë programe për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe punonjësve arsimorë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se ofruesit inkurajohen të paraqesin programe që lidhen me fushat prioritare, si: edukimi në fëmijërinë e hershme; mësimdhënia dhe nxënia; menaxhimi dhe sigurimi i cilësisë së Institucioneve Edukative Arsimore dhe Aftësuese; vlerësimi i nxënësve; gjithëpërfshirja në Institucione Edukative Arsimore dhe Aftësuese; arsimi dhe aftësimi profesional dhe arsimi i të rriturve; dhe zhvillimi i kompetencës digjitale.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, afati për aplikim nis më 18 qershor dhe përfundon më 17 korrik 2026.
