Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të zhvillojë sot, të hënën e 12 tetorit, mbledhjen e radhës, e cila fillon në orën 11:00.
Të lidhura
None found
Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit ka bërë të ditur se formimi i një komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) është përfshirë në rendin e propozuar të ditës për seancën e ardhshme plenare.
Ky komision pritet të merret me përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së: dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.
Përveç kësaj, në rendin e propozuar të ditës përfshihen edhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), si dhe shqyrtimi i propozimeve e kërkesave të tjera që lidhen me punën e Kuvendit.





