Komisioni për Integrim Evropian miraton Projektligjin për pastrimin e parave dhe kërkon më shumë llogaridhënie institucionale

Me shumicë votash, Komisioni për Integrim Evropian ka miratuar Projektligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Të lidhura

None found

Votimi pro erdhi pas shqyrtimit të projektligjit gjatë mbledhjes së komisionit.

Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i bazës ligjore që rregullon parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar rritjen e llogaridhënies së institucioneve që zbatojnë ligjin dhe agjendën evropiane. Ajo propozoi që ministrat e linjës dhe organet zbatuese të raportojnë para komisionit.

Sipas saj, anëtarët e komisionit ndajnë mendimin se duhet shtuar përgjegjshmëria ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit dhe reformave të agjendës evropiane. Ajo theksoi se ky komision ka rol mbikëqyrës dhe i ftoi anëtarët që të mendojnë për institucionet vartëse, duke krijuar një dinamikë të përbashkët për të thirrur para komisionit ministrat e linjës, institucionet e tjera zbatuese dhe agjencitë e ndryshme.

Në vijim, Lushaku-Sadriu njoftoi se seanca e ardhshme e rregullt e komisionit do të zhvillohet të hënën paradite, gjatë së cilës do të diskutohet dhe miratohet plani i punës.

Ajo u bëri thirrje anëtarëve të komisionit që të sjellin propozime për planin e punës, duke i ftuar të grumbullojnë ide dhe nisma që dëshirojnë e mendojnë se duhet të jenë pjesë e këtij plani.


Shtuar më 14.10.2026 11:35