Incidenti me Vjosa Osmanin, Kosova e quan provokim, i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka dërguar një notë proteste autoriteteve të Maqedonisë së Veriut pas incidentit të mbrëmshëm në aeroportin e Shkupit.

Në këtë incident, sigurimi i aeroportit tentoi t’i marrë telefonin privat presidentes Vjosa Osmani dhe e shtyu atë.

Në njoftimin e ministrisë, kërkohet që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident,” thuhet në njoftim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës thekson se presidentja Osmani u ballafaqua me trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga ana e pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit.

Në përpjekje për të sqaruar situatën, Gërvalla ka takuar ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë menjëherë pas incidentit dhe ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin maqedonas, Arben Fetai.

Gjatë takimit, ata diskutuan rreth incidentit dhe nevojës për veprime të shpejta institucionale.

Së fundmi, Gërvalla pranoi një telefonatë nga homologu i saj maqedonas, Timço Mucunski, ku u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës lidhur me këtë ngjarje.

Pala maqedonase një ditë më parë tha se ka nisur hetimin e këtij rasti. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut deklaroi se pasi Osmani kaloi kontrollin kufitar, “erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, polic me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.


Shtuar 2.08.2024 20:46

Tags: ,