Konfirmimi i një varri masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut është pritur si një lajm pozitiv nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Të lidhura
None found
Sipas saj, ky zbulim shënon një hap me peshë në procesin e gjatë të ndriçimit të fatit të atyre që u zhdukën me dhunë gjatë konfliktit të armatosur.
Në një reagim publik në rrjetin social Facebook, Haxhiu shprehu mirënjohjen për punën e kujdesshme dhe profesionale të autoriteteve të angazhuara në këtë rast. Ajo përmendi konkretisht Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, si dhe organet e prokurorisë dhe institucionet e tjera të rendit e drejtësisë.
Duke nënvizuar se hetimet po udhëhiqen me seriozitet dhe ndjenjë përgjegjësie, ajo dha garanci se i gjithë procesi do të ketë përkrahjen e saj të vazhdueshme.
“Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, u shpreh Haxhiu.
