Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka caktuar për 28 shtator 2026, në orën 09:30, seancën e shqyrtimit fillestar në mungesë për 21 të pandehur të akuzuar për “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Seanca do të zhvillohet në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.
Të lidhura
None found
Rasti është i regjistruar me numrin PS.nr.48/25 dhe lidhet me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 15 gusht 2025.
Të pandehurit në këtë çështje janë Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsmаn Jeliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milos Gjoshаn, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovаçеviq.
Akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, e përcaktuar në nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së dhe e paraparë aktualisht nga dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Gjykatës, procedura do të zhvillohet pa praninë e të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin kur është ngritur aktakuza.
Gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve të paraqiten dhe të dorëzohen te organet e ndjekjes në Kosovë. Po ashtu, u është kërkuar personave që kanë të dhëna për vendndodhjen e tyre që informacionet t’ua përcjellin Policisë së Kosovës ose organeve të tjera kompetente.
Seanca do të mbahet në sallën nr. 16, në Objektin D, Kati I. Kryesuese e trupit gjykues është caktuar gjyqtarja Medie Bytyqi.
