Ardian Gjini, kryetar i Aleancës, e ka cilësuar si një shkelje të re kushtetuese thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, Gjini deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk po tallet vetëm me shtetin dhe qytetarët, por edhe me 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, deputetëve po u humbet mandati, veprim të cilin e konsideroi vepër penale.
Ai tha se Kurti i kishte caktuar vetes 30 ditë shtesë dhe se, ndonëse edhe ky veprim përbënte shkelje, tani po shkelen edhe këto 30 ditë.
Duke folur për LVV-në, Gjini tha se personat përgjegjës për këto veprime do të kujtohen si superkriminelët më të mëdhenj në historinë e Kosovës.
Thirrjen e seancës për 9 shtator, ai e përshkroi si shkelje brutale të normës dhe frymës kushtetuese, si dhe të vetë Kushtetutës, e cila, sipas tij, ishte shkelur edhe më herët. Gjini e cilësoi këtë si tallje me shtetin e qytetarët dhe si abuzim ekstrem me gjithçka që shteti ia ofron një subjekti që fiton zgjedhjet.
Ai theksoi se shumica dërrmuese e deputetëve, nëse jo të gjithë, e kishin kuptuar se Kushtetuta ishte shkelur edhe para 30 ditësh. Megjithatë, sipas tij, ata kishin zgjedhur të ndiqnin një rrugë të qetë, me qëllim që Kosova të mos largohej nga korniza kushtetuese dhe të mos kthehej në pikën zero.
Sipas Gjinit, një person i vetëm, i cili i kishte caktuar institucionet në mënyrë të paligjshme dhe ishte toleruar nga të gjitha partitë politike, i dha vetes edhe 30 ditë të tjera, por shkeli edhe afatin që kishte vendosur vetë. Ai e quajti këtë situatë anarki dhe përsëriti se këta njerëz do të mbahen mend si superkriminelë në historinë e Kosovës.
Gjini deklaroi se Kurti synon ta përcaktojë vetë datën e zgjedhjeve, duke përmendur 22 nëntorin ose 27 dhjetorin si data të mundshme.
Për të, me veprimet e fundit Kurti nuk ka lënë më hapësirë për një zgjidhje normale dhe kushtetuese në Kosovë, ndërsa ka mbyllur të gjitha mundësitë për të diskutuar për të ardhmen e vendit. Gjini tha se data e zgjedhjeve po tentohet të caktohet përmes shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës.
Ai iu referua edhe pamjes së parë pardje në Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke thënë se e njëjta situatë mund të shihet çdo ditë nëse Kurti vazhdon t’i caktojë institucionet. Sipas tij, ajo skenë rikujton vitet më të errëta të totalitarizmit dhe dhunën e ushtruar në emër të ligjit nga njerëz që nuk janë asgjë më shumë se aparatçikë. Gjini paralajmëroi se sjellje të tilla, si ato të para dy ditësh në Këshillin Prokurorial, do të përsëriten.
I pyetur nëse do të marrin pjesë në seancë, Gjini tha se vendimi do të merret në mbledhjen e rregullt të Kryesisë, e cila do të mbahet më 8 shtator. Ai shtoi se, nëse është e nevojshme, mbledhja mund të thirret edhe më herët.
Gjini e cilësoi thirrjen e seancës si tallje me qytetarët, shtetin dhe 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilëve, sipas tij, u është djegur mandati. Ai theksoi se një veprim i tillë përbën vepër penale dhe se askush nuk ka të drejtë t’ua djegë mandatin të zgjedhurve të popullit.
Ai bëri të ditur se nuk ka qenë në kontakt me partitë e mëparshme opozitare, por njoftoi se shumë shpejt do të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën. Gjini tha gjithashtu se do të përpiqet të organizojë takim edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Sa i përket Albin Kurtit, Gjini tha se nuk ka plan të zhvillojë takim me të në rrethana të zakonshme. Ai u shpreh i gatshëm për një përballje në një studio televizive, me kamera të drejtpërdrejta, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të dëgjojnë gjithçka që palët do t’i thonë njëra-tjetrës.
Gjini shtoi se ka shumë për t’i thënë Kurtit dhe se ia ka lënë atij të zgjedhë studion, televizionin, gazetarin, kohën, ditën dhe çdo detaj tjetër të takimit, me kusht që qytetarët ta shohin se çfarë kanë për t’i thënë njëri-tjetrit.
