Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, e ka cilësuar si të mirëpritur marrëveshjen ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), sipas së cilës Prof. Dr. Bekim Sejdiu është propozuar për kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas Qunit, ky dakordim përbën dëshmi të pjekurisë politike dhe të përgjegjësisë ndaj qytetarëve, pasi interesi i shtetit është vendosur mbi mospajtimet ndërmjet partive.
“Me kënaqësi dhe shpresë të madhe për stabilitetin institucional të vendit, e mirëpres marrëveshjen e arritur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të propozohet për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Quni.
Deputeti i LDK-së ka folur edhe për historinë e familjes Sejdiu, duke nënvizuar kontributin e saj në rezistencën paqësore dhe politike të udhëhequr nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, si dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Quni ka bërë të ditur se e njeh nga afër heroin e Kosovës, Arben Sejdiu, të cilin e ka pasur bashkëluftëtar.
“Duke e njohur nga afër bashkëluftëtarin tim, Heroin e Kosovës Arben Sejdiu, kam pasur nderin të shoh drejtpërdrejt frymën e lartë atdhetare, sakrificën dhe përkushtimin e pandalshëm të familjes Sejdiu për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Përflitej edhe vetë për president, Haki Demolli përshëndet kandidaturën e Bekim Sejdiut
Ai ka vlerësuar se formimi diplomatik, profesional dhe juridik i Bekim Sejdiut, bashkë me përvojën si ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe diplomat, e pozicionojnë atë si një kandidat të përshtatshëm për të përfaqësuar unitetin e qytetarëve dhe për të siguruar respektimin e Kushtetutës.
Quni ka veçuar gjithashtu njohuritë e Sejdiut në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe diplomacisë, të cilat, sipas tij, janë vlerë e rëndësishme për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në përmbyllje, Quni i ka dëshiruar sukses Sejdiut në procesin e zgjedhjes, duke shprehur bindjen se, në rast të zgjedhjes president, ai do ta drejtojë vendin me urtësi, paanshmëri dhe përkushtim ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Na priftë e mbara!”, ka përfunduar Quni.
