AAK-ja e quan skandaloz vendimin për pensionistët, i kërkon Kurtit të heq dorë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka dalë sot në një konferencë të përbashkët me nënkryetarin e AAK-së, Ahmet Isufi, deputetin Shemsedin Dreshaj dhe deputeten Albana Bytyçi, për të lajmëruar publikun siç e quajnë ata për vendimin skandaloz të cilin e ka marrë Qeveria gjatë ditës së djeshme për të ndalur shtesat e pensionistëve.

 

Gjatë kësaj konference, nënkryetari Ahmet Isufi tha se kërkojnë nga kryeministri Albin Kurti që të ndalojë vendimin që t’u heq shtesat prej 20 eurosh pensionistëve. Ai tha se Qeveria ka segmente të tjera ku mund të kursehet, por jo në kategoritë të cilat janë më të rrezikuara në shoqëri.

“Sot kemi thirrur këtë konferencë shtypi që të kërkojmë nga kryeministri që të ndalojë vendimin që shtesat prej 20 euro i janë hequr pensionistëve. Ka segmente te tjera ku Qeveria mund të kursehet, sidomos në pjesen që e ka quajtur dikur luksoze të qeverisë. Po ashtu edhe kursime të tjera që mund të bëhen në qeverisje, por jo në kategoritë që janë më të rrezikuara në shoqëri”, tha Isufi.

Isufi ka thënë se kanë vendosur që së paku në 100 ditëshin e parë të qeverisjes të kursejnë Qeverinë nga akuzat, por sipas tij veprimet e tyre po e detyrojnë AAK-në që të veprojë.

“Kemi vendosur që së paku për 100 ditë kjo qeveri të jetë e kursyer nga akuzat, por siç po shihet veprimet që po bëjnë po detyrojnë partinë tonë të veprojë. Në këto kushte pandemie pensionistët edhe po të duan të protestojnë e kanë të vështirë të pajtohen me ketë gjendje. Kjo është johumane. Kërkesa jonë është që qeveria menjëherë të ndalojë këtë vendim”, u shpreh Isufi.

Ndryshe, sot Ministri i Financave dhe Transfereve Hekuran Murati ka dalë me një sqarim lidhur me këtë çështje ku tha se Qeveria e kaluar në kohë fushate kishte marrë vendim që të ndajë nga 30 euro për vetëm tre muaj, e pas atyre muajve shtesat ishin paraparë të ndalen në tërësi.

Murati ka thënë se krejt çfarë do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm është shuma prej 75 ose 90 eurove, sepse sipas tij Qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa.


Shtuar 22.04.2021 13:55

Tags: , ,