Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një bisedë telefonike i theksoi kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu “urgjencën për përfundimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza”.
Shtëpia e Bardhë bëri një deklaratë me shkrim lidhur me bisedën telefonike mes presidentit amerikan dhe kryeministrit izraelit.
“Presidenti theksoi urgjencën për përfundimin e marrëveshjes për armëpushim dhe lirimin e pengjeve dhe vlerësoi bisedimet që do të mbahen në Kajro për eliminimin e pengesave të mbetura”, thuhet në deklaratë.
Duke bërë të ditur se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj ushtarake për Izraelin kundër Iranit dhe organizatave me mbështetje iraniane, Biden diskutoi me Netanyahun edhe situatën e fundit lidhur me praninë e ushtarëve amerikanë në rajon.
Më 15-16 gusht në kryeqytetin e Katarit, Doha, mes Izraelit dhe Hamasit u zhvilluan negociata për shkëmbimin e pengjeve dhe arritjen e armëpushimit në Gaza.
Hamasi ka deklaruar se kryeministri izraelit Netanyahu pengoi arritjen e një marrëveshjeje duke vendosur kushte të reja në negociatat e zhvilluara me ndërmjetësimin e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 janë vrarë 40 223 palestinezë, përfshirë të paktën 16 480 fëmijë dhe 10 980 gra ndërsa janë plagosur 92 981 persona të tjerë.