Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar së bashku për mosdhënien e pagave të magjistratëve, funksionarëve të sistemit të drejtësisë dhe punonjësve të administratës gjyqësore e prokurorisë.
Shoqatat e konsiderojnë situatën një bllokim të paprecedentë dhe akuzojnë institucionet ekzekutive për shkelje të detyrimeve ligjore, si dhe për moszbatim të vendimeve përfundimtare.
Të lidhura
None found
Sipas tyre, qëndrimet e institucioneve qeveritare përmbajnë një mospërputhje të qartë. Ministria e Financave u ka kërkuar KLGJ-së dhe KLP-së të përcjellin në Thesar urdhërpagesa të përllogaritura mbi formulën e mëparshme. Në të njëjtën kohë, Ministri i Drejtësisë ka deklaruar publikisht se kjo formulë është shfuqizuar dhe se për të mbushur këtë “boshllëk” nevojitet ndërhyrja e Kuvendit.
Përfaqësuesit e gjyqtarëve dhe prokurorëve kërkojnë të dinë se cila është baza ligjore për zbatimin e një formule që vetë ekzekutivi e pranon se nuk është më në fuqi.
Gjykata Kushtetuese i kishte caktuar Kuvendit datën 31 korrik 2026 si afat për miratimin e ndryshimeve ligjore, dhe jo vetëm për paraqitjen e nismave përkatëse. Me përfundimin e këtij afati dhe në kushtet e mosveprimit të Kuvendit, u aktivizua mekanizmi i parashikuar nga Gjykata në vendimin nr. 15/2026, i cili më pas u konkretizua përmes akteve të KLGJ-së dhe KLP-së.
Shoqatat sqarojnë se këshillat nuk kanë marrë kompetencat e Kuvendit për të përcaktuar politikën e pagave. Sipas tyre, KLGJ dhe KLP vetëm kanë zbatuar pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi kishte kaluar afati i vendosur për ligjvënësin.
Vendimet e KLGJ-së dhe KLP-së, theksojnë ato, janë ende në fuqi për sa kohë nuk janë kundërshtuar në rrugë gjyqësore. Për këtë arsye, institucionet përgjegjëse duhet t’i respektojnë dhe t’i ekzekutojnë ato.
Shoqatat nënvizojnë se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të përdoret për të pezulluar zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, nisma e re ligjvënëse e depozituar nga dy deputetë duhet të shqyrtohet me kujdes, si për shkak se është paraqitur pas skadimit të afatit të 31 korrikut 2026, ashtu edhe për përmbajtjen e saj.
Sipas deklaratës, kjo nismë nuk mund të shërbejë si arsye për bllokimin e pagave. Efektet e shfuqizimit hynë në fuqi, në çdo rast, jo më vonë se 31.07.2026, ndërsa Gjykata Kushtetuese përcaktoi edhe mënyrën e llogaritjes që do të zbatohej në rast se Kuvendi nuk do të vepronte.
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve deklarojnë se pritja për miratimin e një ligji të ri do t’i jepte Kuvendit mundësinë të shtynte, përmes mosveprimit, një afat të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Një situatë e tillë, sipas tyre, do të përbënte një veto faktike ndaj efekteve të vendimit kushtetues dhe do të vinte në pikëpyetje autoritetin e Kushtetutës.
Në deklaratën e përbashkët kërkohet pagesa e menjëhershme e pagave të magjistratëve, pa e lidhur atë me miratimin e një ligji të ri.
Gjithashtu, Ministria e Financave duhet të shpjegojë bazën ligjore mbi të cilën kërkon përdorimin e një formule që tashmë konsiderohet e shfuqizuar.
Shoqatat kërkojnë edhe zbatimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe të mekanizmit të përcaktuar prej saj për periudhën pas 31 korrikut 2026.
Një tjetër kërkesë lidhet me ekzekutimin e vendimeve të KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat vijojnë të jenë akte në fuqi.
Në përfundim, ato kërkojnë që çdo ndryshim i ardhshëm ligjor nga Kuvendi të mos sjellë, në asnjë mënyrë dhe pa ekuivok, një rezultat më të pafavorshëm se standardi i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Tiranë, 5 shtator 2026
