Nisma e re e Partisë Socialiste, e quajtur “Prania Besnike”, ka nisur këtë të premte në orën 17:00 në të gjithë Shqipërinë, megjithëse disa prej deputetëve socialistë nuk zhvilluan takime.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se takimet do të mbahen çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtat vende. Sipas tij, çdo njësi administrative, përfshirë zonat urbane brenda qyteteve më të mëdha, do të ketë një “Prani Besnike” një herë në muaj.
Të lidhura
None found
Rama e cilësoi këtë nismë si një hapësirë neutrale, ku qytetarët mund të paraqiten pa kamera dhe pa tesër apo simbole partie për të folur drejtpërdrejt për shqetësimet, ankesat dhe kërkesat e tyre.
Takimet, sipas kryeministrit, nuk do të jenë mbledhje, por dëgjesa individuale. Deputeti do të mbajë shënim problematikat, do t’ua përcjellë ato zyrtarisht institucioneve dhe do të ndjekë marrjen e një përgjigjeje nga qytetari.
“Sot në orën 17.00 nisi në të gjithë Shqipërinë Prania Besnike e Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend, gjithnjë të premten në orën 17.00”, shkroi Rama.
Ai sqaroi se nisma nuk garanton zgjidhjen e çdo problemi, por synon të sigurojë që asnjë kërkesë të mos mbetet pa iu përcjellë institucioneve dhe që askush të mos mbetet pa përgjigjen që i takon me ligj e me zakon. “Prania Besnike të dëgjon dhe Besa të thotë më kontrollo”, u shpreh kryeministri.
Pas urdhrit të Ramës për zbatimin e kësaj nisme, ish-ministrja e Bujqësisë Anila Denaj njoftoi se do të takohet me qytetarët në një kafene në Bërzhitë.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme Ervin Hoxha ka zgjedhur një lokal në rrugën “Migjeni”, në Njësinë 11 në Tiranë.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu do të presë qytetarët në Sheshin Garibaldi, në Kombinat, ndërsa ministri i Kulturës Blendi Gonxhe ka përzgjedhur një bar-kafe për takimet me banorët e Mëzezit.
Ogerta Manastirliu, e propozuar për garën e ardhshme të zgjedhjeve lokale për Tiranën, ka zgjedhur Bibliotekën “Petro Zheji”, në Njësinë 9 të kryeqytetit, ndryshe nga kolegët e saj që do të zhvillojnë takimet në kafene.
Erion Braçe pritet t’i nisë dëgjesat javën e ardhshme, pasi të konsultohet këtë të premte me grup-seksionet e PS-së në Njësinë 5.
Deri në momentin e publikimit të lajmit, ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, nuk kishte bërë ende të ditur vendin ku do të zhvillojë takimet si deputete e Tiranës.
Edhe Fatmir Xhafaj nuk kishte njoftuar ende vendin ku do të zbatojë “Praninë Besnike”.
Banorët e Kavajës do të kenë mundësinë të dëgjohen nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili gjatë muajve të fundit i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij qyteti.
Deputetët e 11 qarqeve të tjera, njësoj si kolegët e tyre në qarkun e Tiranës, kanë bërë publike vendet e takimeve, duke përfshirë kafene dhe qendra fshatrash, ku do të zhvillohet nisma “Prania Besnike”.
