Shefi i shtetit rus, Vladimir Putin, deklaroi të enjten se një zgjidhje paqësore me Ukrainën mbetet ende e mundur. Megjithatë, ai theksoi se rifillimi i negociatave është bërë më i ndërlikuar për shkak të goditjeve ukrainase mbi mjetet lundruese ruse dhe apelit të Kievit që aviacioni civil t’i qëndrojë larg korridoreve ajrore të Rusisë, njofton agjencia “Reuters”.
Të lidhura
None found
Duke folur në një forum ekonomik në rajonin e Lindjes së Largët të Rusisë, presidenti rus nënvizoi se disa shtete, ndër to Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina, shfaqin gadishmëri për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
“Në analizë të fundit, zgjidhja duhet të vijë nga palët e përfshira drejtpërdrejt në konflikt, pra Rusia dhe Ukraina,” u shpreh ai. “Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që synojnë të japin një kontribut në këtë drejtim. A ekziston një shans? Sipas bindjes sime, po, ka një shans.”
Nga ana tjetër, Putin i cilësoi sulmet e forcave ukrainase kundër anijeve civile të mallrave dhe ato që ai i quajti “kërcënime të publikuara për goditje ndaj linjave ajrore pasagjerësh” si forma të “terrorizmit shtetëror”. Këto veprime, sipas tij, i bëjnë edhe më të errëta perspektivat për rifillimin e dialogut dypalësh për paqen.
Më herët gjatë javës, homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, pati paralajmëruar kompanitë ajrore për rrezikshmërinë e hapësirës ajrore ruse për shkak të prezencës së dronëve ukrainas, duke saktësuar se objektivat e Kievit do të mbeteshin vetëm instalimet ushtarake të Rusisë.
Sa u përket bisedimeve të paqes, të cilat kanë humbur vrullin që prej muajit shkurt, udhëheqësi i Kremlinit pohoi se Moska mban kontakte të vazhdueshme me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, e cila është angazhuar për të ndërmjetësuar një marrëveshje.
“Ne jemi të interesuar për një normalizim të plotë të raporteve me Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi, kjo nuk varet ekskluzivisht nga ne, por edhe nga pala amerikane. Megjithatë, nga çfarë kuptoj, ndjej dhe vërej, presidenti Trump është i vendosur për një qasje pozitive dhe konstruktive,” përfundoi ai.
