Përmes një postimi në rrjetet sociale, depduteti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar me ironi ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi qeveritë e vendeve fqinje morën masa për uljen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.
Këlliçi i paraqiti vendimet e Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si “komplote të reja” kundër Ramës dhe qeverisjes së tij.
Të lidhura
None found
Sipas ironisë së tij, këto shtete po ndihmojnë qytetarët e tyre me qëllim që kryeministri shqiptar, i cili nuk ka ndërmarrë masa të ngjashme, të duket keq përballë publikut.
Deputeti demokrat përmendi fillimisht marrëveshjen e arritur nga qeveria greke me përfaqësuesit e biznesit, e cila parashikon uljen me 30 përqind të çmimeve për 1 mijë e 600 produkte.
Në këtë mënyrë, qytetarët e Greqisë do të paguajnë më pak, ndërsa furnizuesit e ushqimeve do të përfitojnë lehtësi nga qeveria.
Këlliçi e cilësoi këtë si një “goditje” ndaj Ramës, duke pretenduar se në Shqipëri nuk është ndërmarrë asnjë nismë për të zbutur rritjen e kostos së jetesës.
Në reagim përfshihet edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka vendosur së fundmi të ulë akcizën e karburantit. Si pasojë, sipas Këlliçit, një litër naftë atje kushton 1.5 euro, ndërsa në Shqipëri çmimi kalon 2.2 euro për litër.
Me ironi, ai shkruan se Shkupi po vepron kështu për ta paraqitur Ramën si një kryeministër që nuk merr masa për të lehtësuar qytetarët e vet.
Këlliçi iu referua gjithashtu Malit të Zi, ku akciza e karburantit u ul në fund të gushtit dhe një litër naftë blihet me 1.8 euro. Ai deklaroi se, gjatë 5 muajve nga marsi deri në korrik, shqiptarët kanë paguar 80 milionë euro më shumë për karburant sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas pretendimit të deputetit të PD-së, këto para përfundojnë te Edi Rama, i cili më pas i ndan në bazë të interesave të tij me miqtë dhe klientët.
Në postim ngrihet edhe çështja e kostos së ushqimeve. Këlliçi pretendon se çmimet në Shqipëri janë më të lartat në rajon dhe qëndrojnë 3 përqind mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Në përfundim, deputeti demokrat vijon ironinë duke thënë se masat e qeverive fqinje vërtetojnë tezën e Ramës për komplote që synojnë të minojnë “suksesin e madh” të tij.
Ai sjell në vëmendje edhe debatin për shishen e verës me vlerë 33 mijë euro, duke deklaruar se asnjë kryeministër në rajon apo më gjerë nuk ka arritur të pijë një verë të tillë si Edi Rama. Sipas Këlliçit, përpjekjet për të komplotuar kundër tij janë të kota, pasi askush nuk e arrin këtë standard.
