Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po vlerëson mundësinë për të deklaruar zyrtarisht përfundimin e luftës me Iranin, ndërkohë që Pentagoni po shton kapacitetet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Të lidhura
None found
The Wall Street Journal raporton se kjo çështje është diskutuar privatisht mes Trump dhe këshilltarëve të tij të lartë. Sipas raportimit, presidenti mbështet idenë e shpalljes së fundit të luftës, pasi beson se presioni ekonomik mund ta detyrojë Teheranin të braktisë programin bërthamor ose të përballet me një krizë të rëndë të brendshme.
Paralelisht, administrata amerikane po vijon fushatën e presionit ekonomik ndaj Iranit. Javën e kaluar, SHBA nisi Operacionin “Pariah Ekonomik”, që përfshin masa ndaj sektorëve kyç të ekonomisë iraniane, si nafta, transporti detar, aviacioni, ari, teknologjia dhe ekonomia digjitale.
Megjithatë, ndërsa në qarqet politike po shqyrtohet mundësia e përfundimit të konfliktit, Pentagoni po përgatitet për një përballje që mund të zgjasë më shumë. Sipas WSJ, ushtria amerikane ka nisur të zgjerojë dislokimet në rajon, duke sinjalizuar se luftimet mund të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 50 mijë trupa dhe 19 anije luftarake të vendosura në Lindjen e Mesme. Në këtë forcë përfshihen dy aeroplanmbajtëse dhe 13 shkatërrues të pajisur me raketa të drejtuara.
Kjo prani ushtarake synon t’i sigurojë presidentit Trump më shumë hapësirë veprimi dhe mundësi reagimi, në varësi të zhvillimeve në terren.
Pra, ndërsa Shtëpia e Bardhë po diskuton një mbyllje zyrtare të luftës, përgatitjet e Pentagonit tregojnë se Uashingtoni po llogarit edhe mundësinë e një konflikti të zgjatur me Iranin.
