Lumir Abdixhiku, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u bëri thirrje deputetëve dhe zyrtarëve që kundërshtojnë marrëveshjen për postin e presidentit, duke theksuar se qëndrimi i tyre rrezikon të dëmtojë rëndë partinë dhe të forcojë ndjeshëm pozitat politike të Albin Kurtit.
Të lidhura
None found
Abdixhiku kërkoi që pakënaqësitë personale ndaj tij të mos kthehen në vendime që, sipas tij, do ta dëmtonin rëndë LDK-në dhe do ta çonin vendin në një proces të ri zgjedhor pa një strategji të qartë për formimin e institucioneve.
Sipas kryetarit të LDK-së, nëse kundërshtohet kandidatura e Bekim Sejdiut dhe procesi dështon, kjo do t’i hapte rrugë Lëvizjes Vetëvendosje të zgjerojë mbështetjen, ndërsa LDK-ja do të pësonte një dobësim të theksuar.
Ai u bëri thirrje kundërshtarëve të tij brenda partisë që të mos ndikohen nga Baton Haxhiu dhe Berat Buzhala, për të cilët pretendoi se kanë dhënë më parë këshilla të dëmshme për subjekte dhe politikanë të ndryshëm.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja nuk duhet të hyjë në një tjetër cikël zgjedhor pa një zgjidhje konkrete për krizën institucionale, pasi edhe pas zgjedhjeve, partitë do të detyroheshin të negociojnë me subjektin që siguron numrin më të madh të votave.
Ai përsëriti se nuk synon ndonjë pozitë personale dhe se qëllimi i tij ka qenë arritja e një zgjidhjeje për presidentin, ndërsa LDK-ja të mbetet në opozitë dhe të punojë për konsolidimin e saj.
