Gjermania është përfshirë nga alarmi pas dy sulmeve të dyshuara ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike, njëri në lindje dhe tjetri në perëndim të vendit, të ndodhura brenda një harku kohor prej 24 orësh.
Të lidhura
None found
Policia në Brandenburg ka nisur hetime për mundësinë e krijimit të një organizate terroriste, pasi disa mjete artizanale goditën linjat e tensionit të lartë pranë një termocentrali.
Nga vlerësimet e para rezulton se autorët kishin vendosur nën linjat elektrike më shumë se 12 pajisje të ngjashme me raketa, të pajisura me ngarkesa shtytëse.
Vetëm një prej tyre goditi objektivin. Pajisja tërhoqi një kabllo drejt linjës së tensionit shumë të lartë dhe shkaktoi kontakt me tokën, duke sjellë një ndërprerje të shkurtër të energjisë.
Jan Redmann, ministri i Brendshëm i Brandenburgut, tha se situata mund të kishte qenë më e rëndë nëse shumica e predhave do të kishin arritur objektivin. Ai vlerësoi se ndërtimi dhe vendosja e mjeteve kërkonin njohuri të konsiderueshme teknike, ndërsa dyshon se autorët kishin qëndruar dhe vepruar në zonë për disa ditë.
Një ngjarje e dytë u shënua në nënstacionin elektrik të kompanisë “Amprion”, në Bergheim, pranë Këlnit. Shërbimet e policisë u vunë në dijeni pasi banorët njoftuan për shkëndija të fuqishme gjatë natës.
Një qark i shkurtër preku disa linja, megjithatë furnizimi me energji elektrike për qytetarët vijoi pa ndërprerje. Ministri i Brendshëm i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë deklaroi se hetimi fillestar e klasifikon rastin si “sabotim antikushtetues”.
Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që sulmi të jetë planifikuar jashtë Gjermanisë ose të jetë kryer nga qarqe ekstremiste të majta. Deri tani, nuk është identifikuar asnjë i dyshuar për asnjërin prej incidenteve.
Ngjarjet janë regjistruar në një periudhë kur Berlini po përballet me shqetësime gjithnjë e më të mëdha lidhur me sabotimet dhe veprimet hibride ndaj infrastrukturës strategjike të vendit.
