Mbrojtja e të akuzuarve për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, i është drejtuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë me një ankesë për mënyrën se si është shqyrtuar çështja nga Apeli i GJKKO.
Ankesa, e depozituar nga avokatja e Leonard Dukës, Oltjon Logës, Fatmira Hysenit dhe të pandehurve të tjerë, ngre pretendime për shkelje të rënda procedurale, cenim të paanshmërisë dhe aplikim të standardeve të dyfishta gjatë gjykimit të procedimit penal nr. 177/2019 nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Të lidhura
None found
Sipas mbrojtjes, gjyqtarët Saida Dollani, Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi, kanë qenë më herët pjesë e trupit gjykues në proceset ndaj bashkëpandehurve të tjerë të së njëjtës çështje, duke u shprehur edhe për pozicionin procedural të të pandehurve aktualë.
Avokatët pretendojnë se gjyqtarët Olldashi dhe Pëllumbi kanë pranuar më parë se ekzistonin shkaqe për heqjen e tyre nga çështja dhe kanë paraqitur kërkesa për dorëheqje.
Ndërkohë, në një proces tjetër ndaj të bashkëpandehurit Ilir Selmani, pjesë e të njëjtit procedim, gjyqtari Dhimitër Lara ka vlerësuar se kërkesa për përjashtimin e tij duhej të pranohej dhe ka dhënë dorëheqjen për të njëjtat arsye.
Mbrojtja thotë se, ndonëse rrethanat kanë qenë të ngjashme, në çështjen e tanishme gjyqtarja Daniela Shirka ka rrëzuar kërkesat për përjashtim.
Po ashtu, kërkesat për dorëheqjen e dy anëtarëve të trupit gjykues nuk janë pranuar nga zv.kryetari Dhimiter Lara. Sipas ankuesve, kjo përbën një trajtim me standard të dyfishtë.
Në ankesë përmendet edhe fakti se Gjykata e Lartë ka konstatuar më herët problematikën e pjesëmarrjes së gjyqtarëve në vendimmarrje të mëparshme brenda të njëjtit procedim, çështje për të cilën ka vendosur kthimin e saj për rigjykim.
Përmes kërkesës drejtuar ILD-së kërkohet verifikimi i shkeljeve të pretenduara dhe marrja e masave përkatëse, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt dhe të paanshëm.
Seanca e radhës, e planifikuar për këtë të martë, u shty për shkak të mungesës së avokatëve. Ndërkohë, SPAK ka ankimuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila shpalli të pafajshëm Erlis Dukën, vëllain e Leonard Dukës.
