Policia e Shtetit ka njoftuar për përmbylljen e një faze tjetër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Falë koordinimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe strukturave të Interpol Abu Dhabit, është bërë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, i shtetasit N. D., 57 vjeç.
Të lidhura
None found
I arrestuari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, në prill të vitit 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, 57-vjeçari ka vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, duke bashkëfinancuar, lehtësuar dhe koordinuar transportin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Autoritetet dyshojnë gjithashtu se N. D. ka përdorur skema të sofistikuara financiare, mes tyre edhe transferta digjitale, për të kryer pagesa me vlera të konsiderueshme në disa shtete, me qëllim blerjen e drogës.
Ndërkohë, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi vijojnë bashkëpunimin për përfundimin e procedurave që do të mundësojnë ekstradimin e 57-vjeçarit në Shqipëri.
