Tregjet financiare globale reaguan me rënie ndaj përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa çmimet e naftës shënuan rritje të ndjeshme.
Të lidhura
None found
Nafta Brent u ngjit në 91.74 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 1.5%, duke arritur në 87 dollarë. Këto zhvillime pasuan shkëmbimin e sulmeve gjatë fundjavës dhe deklaratën e presidentit Donald Trump se Irani do të përballej me një përgjigje.
Çmimet e naftës u rritën me mbi 1%, ndërsa investitorët u përballën me shqetësimet për një zgjerim të konfliktit dhe me pasojat e mundshme në inflacion. Këto frikëra ushtruan presion mbi bursat kryesore në botë.
Pas paralajmërimit të Trump se Uashingtoni do ta godasë “fort” Teheranin, shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm u thelluan. Tensionet e reja mes dy vendeve vijuan të ndikonin në tregjet ndërkombëtare edhe të martën.
Shtetet e Bashkuara sulmuan me raketahedhës në ishullin iranian Larak. Në kundërpërgjigje, Teherani goditi objektiva ushtarake amerikane në Jordani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Pas gjashtë muajsh, konflikti mbetet ende i pazgjidhur. Irani vazhdon të mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Shtetet e Bashkuara vijojnë bllokadën ndaj porteve iraniane.
Pasiguria për një valë të re përplasjesh, së bashku me rrezikun e inflacionit më të lartë dhe mundësinë e shtrëngimit të politikës monetare, ndikoi negativisht në tregjet e aksioneve.
Rënie u regjistruan në bursat e Tokios, Hong-Kongut, Shangait, Londrës dhe Frankfurtit. Ndërkohë, presidenti Donald Trump pritet të zhvillojë një takim me drejtuesit e kompanive të përpunimit të naftës, me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve në Shtetet e Bashkuara.
