Bashkia e Tiranës, ndodhet në një situatë të pazakontë. Kryetari nuk është fizikisht në zyrë, por vazhdon ta mbajë detyrën.
Erion Veliaj, mund të drejtojë pushtetin vendor edhe nga paraburgimi, pasi ligji nuk e detyron të delegojë kompetencat.
Të lidhura
None found
Pas largimit të Anuela Ristanit nga posti i kryetares së komanduar, firma e Veliajt mbetet e nevojshme për aktet e institucionit.
Megjithatë, mungesa e lirisë fizike pritet të shkaktojë vonesa në procesin e vendimmarrjes.
Avokati Arbër Hoxha e cilësoi të pritshëm, madje të vonuar, rikthimin e Veliajt në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, kryetari mund ta ushtrojë funksionin edhe nga ambientet e paraburgimit, ndërsa aktet mund t’i dërgohen për firmosje nga sekretari i përgjithshëm ose drejtori juridik.
Indrit Sefa shpjegoi se, për sa kohë Veliaj nuk ka autorizuar asnjë prej nënkryetarëve, çdo akt i nxjerrë nga Bashkia e Tiranës duhet të dërgohet në paraburgimin e Durrësit për t’u firmosur dhe më pas të protokollohet në bashki.
Drejtorët mund t’u raportojnë nënkryetarëve në përputhje me strukturën e institucionit, por këta të fundit nuk kanë të drejtë ta përfaqësojnë bashkinë në marrëdhëniet me palë të treta.
Mungesa e kryetarit në selinë e bashkisë ka krijuar një ngërç të dukshëm në administrimin e përditshëm të kryeqytetit.
Megjithatë, sipas juristëve, Kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore nuk e pengojnë vijimin e mandatit nga një kryetar i zgjedhur me votë, edhe kur ai ndodhet në qeli, ndërsa kryetarja e komanduar është shkarkuar.
Sefa iu referua nenit 64 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, i cili përcakton se veprimtarinë administrative të Bashkisë së Tiranës e ushtron kryetari, me përjashtim të kompetencave që i takojnë këshillit bashkiak.
Ai theksoi se deri tani institucioni përfaqësohej nga Anuela Ristani, ndërsa pas heqjes së delegimit, Veliaj duhet të marrë pjesë edhe në mbledhjet e këshillit bashkiak.
Arbër Hoxha nënvizoi se qytetarët e Tiranës kanë votuar Erion Veliajn dhe jo Anuela Ristanin, ndaj përgjegjësia për veprimet ose mosveprimet e bashkisë i mbetet kryetarit të zgjedhur.
Ai shtoi se, duke qenë se hetimet kanë përfunduar dhe provat nuk mund të cenohen, një masë si detyrimi për paraqitje do të ishte më e përshtatshme se arresti në burg, ndërsa çështja mbetet për t’u shqyrtuar edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Zgjidhja e propozuar nga juristët është vijimi i firmosjes së dokumenteve nga paraburgimi. Ndërkohë, qytetarët kërkojnë që Bashkia e Tiranës të mos përballet më me kaosin e shkaktuar nga mungesa fizike e kryetarit.
