Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është në gjendje kritike, pas një sulmi me thikë të regjistruar në New York.
Të lidhura
None found
E dyshuara për sulmin është një grua 49-vjeçare, e cila dyshohet se goditi me thikë dy persona brenda afro 20 sekondash.
Sipas të dhënave të para, viktima e parë ishte një 68-vjeçar, i cili u godit në bark teksa sapo kishte dalë nga një stacion metroje dhe priste të kalonte rrugën. Më pas, gruaja dyshohet se i shkaktoi plagë fatale në bark një 32-vjeçareje.
Ngjarja u shënua rreth orës 16:30, në një nga zonat më të frekuentuara të New York-ut.
Pas sulmit, 49-vjeçarja shkoi drejt zonës ku ndodhet një nënstacion i Departamentit të Policisë së New York-ut, NYPD. Aty, efektivët e konstatuan teksa mbante thikën në dorë dhe e tundte në drejtim të tyre.
Video të shpërndara në rrjetet sociale pasqyrojnë skena dramatike pranë vendngjarjes, ku ishin të pranishëm dhjetëra kalimtarë. Në pamje, gruaja shfaqet me bluzë rozë, xhinse dhe çantë, ndërsa mban thikën dhe u afrohet policëve.
Në fillim, policia u përpoq ta ndalonte përmes një arme elektrike. Por, sipas autoriteteve, ajo i hoqi elektrodat dhe vazhdoi përballjen me efektivët.
Njëri prej policëve hapi zjarr në momentin kur gruaja filloi të lëvizte drejt tyre, me thikën të drejtuar nga efektivët.
Pas të shtënave, policët iu afruan menjëherë për t’i ofruar ndihmën e parë.
Shefja e Policisë së New York-ut, Jessica Tisch, tha se efektivët kishin komunikuar me gruan për rreth katër minuta, duke i kërkuar vazhdimisht të hidhte thikën, por ajo nuk iu bind urdhrave.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota dhe motivet e sulmit.
