Protesta e banorëve të Divjakës kundër reformës administrative-territoriale të propozuar nga Partia Socialiste ka hyrë në ditën e 32-të. Qytetarët kundërshtojnë planin për bashkimin e Bashkisë Divjakë me Bashkinë Lushnjë, duke argumentuar se kjo nismë rrezikon të zhdukë jo vetëm institucionin vendor, por edhe identitetin e zonës.
Gjatë tubimit, banorët deklaruan se rezistenca e tyre prej më shumë se një muaji nuk po merret në konsideratë nga autoritetet vendore dhe qendrore. Sipas tyre, në vend të një takimi apo dëgjese publike, zyrtarët u përgjigjen vetëm përmes statuseve në Facebook.
Të lidhura
None found
Edhe pse këtë mbrëmje nuk pati ndërprerje të energjisë elektrike, protestuesit thanë se po përballen me presion të madh për të mos iu bashkuar tubimeve. Ata nënvizuan se kjo situatë nuk do t’i tërheqë nga qëndrimi i tyre për mbrojtjen e autonomisë së qytetit.
Pas tubimit, banorët zhvilluan një marshim masiv në rrugët kryesore të Divjakës, duke shënuar kështu mbylljen e mbrëmjes së 32-të të protestës.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe projektit për shkrirjen e bashkisë. Banorët paralajmëruan se protesta do të vijojë pa ndërprerje deri në anulimin e plotë të kësaj nisme.
