Këshilltarja e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Ilda Zhulali, i është drejtuar kryetares së Këshillit Bashkiak me kërkesë për informacion zyrtar lidhur me situatën drejtuese të institucionit, pas raportimeve se Anuela Ristani është shkarkuar për herë të dytë nga detyra.
Zhulali kërkon që të bëhet publike shkresa përmes së cilës është marrë vendimi, të sqarohet se kush e ushtron aktualisht funksionin drejtues në bashki dhe kush gëzon të drejtën për të negociuar e firmosur kontrata, marrëveshje financiare, akte administrative dhe vendime që ndikojnë në buxhetin e institucionit. Ajo kërkon gjithashtu të dijë nëse firma e Erion Veliajt konsiderohet ende një vullnet legjitim vendimmarrës.
Të lidhura
None found
Në kërkesën e saj, këshilltarja demokrate ngre shqetësimin edhe për paralajmërimet mbi vështirësitë në transportin publik. Ajo kërkon të informohet për shkaqet e krizës financiare të operatorëve, kontaktet dhe negociatat e bashkisë, si dhe masat që po ndërmerren për të mos lejuar uljen e numrit të autobusëve në qarkullim.
Zhulali kërkon që Këshilli Bashkiak i Tiranës të mblidhet në një seancë urgjente ose të jashtëzakonshme, ndërsa për çdo pikë të ngritur të marrë përgjigje me shkrim dhe të ketë në dispozicion dokumentacionin zyrtar përkatës.
“E nderuar Zj. Kryetare,
Përmes medias jam informuar se Erion Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në gjendje paraburgimi, ka shkarkuar për herë të dytë, brenda pak muajsh, znj. Anuela Ristani nga pozicioni i kryetares së komanduar ose ushtrueses së detyrës së Bashkisë Tiranë. Ky raportim ka shkaktuar pasiguri të thellë ligjore dhe publike për mënyrën se si drejtohet aktualisht Bashkia Tiranë, ndaj kërkohet një sqarim i menjëhershëm dhe zyrtar përpara Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve.
Në këto rrethana, kërkoj informacion të plotë dhe zyrtar për çështjet e mëposhtme:
1. Të vihem në dijeni për shkresën zyrtare me të cilën është bërë shkarkimi i dytë, si dhe për datën dhe orën kur ajo është firmosur e protokolluar.
2. Të sqarohet se kush e ushtron aktualisht, në mënyrë ligjore dhe zyrtare, detyrën e kryetarit ose të kryetares së Bashkisë Tiranë, apo funksionin e ushtruesit ose ushtrueses së detyrës, pas njoftimit për shkarkimin e znj. Anuela Ristani.
3. Të bëhet e ditur se cili është autoriteti institucional që mund të negociojë, marrë vendime dhe të nënshkruajë në emër të Bashkisë Tiranë, përfshirë kontratat, marrëveshjet financiare, aktet administrative dhe vendimet me ndikim mbi buxhetin e bashkisë.
4. Të sqarohet nëse brenda Bashkisë Tiranë ekziston një strukturë e përcaktuar dhe e pandërprerë komanduese. Nëse përgjigjja është pozitive, kërkohet vënia në dispozicion e dokumentacionit zyrtar që e dëshmon këtë.
5. Të bëhet e ditur se cilat masa janë ndërmarrë ose planifikohet të ndërmerren për të siguruar vijimin normal të veprimtarisë institucionale të bashkisë në kushtet e paqëndrueshmërisë drejtuese.
6. A e njeh zyrtarisht Bashkia Tiranë firmën e Erion Veliajt si shprehje të një vullneti legjitim vendimmarrës?
Kujtoj se një situatë e ngjashme u shfaq disa muaj më parë, kur znj. Ristani u shkarkua dhe në vend të saj u emërua znj. Goxhaj, për të cilën nuk u dha asnjëherë një përgjigje zyrtare.
Paralelisht, nga raportimet mediatike jam njohur me paralajmërimin e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, të datës 11 gusht 2026, për rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës së transportit publik.
Duke pasur parasysh rëndësinë që ky shërbim ka për jetën e përditshme të banorëve të Tiranës, si dhe për personat e tjerë, vendas ose të huaj, që përdorin transportin publik, kërkoj informacion zyrtar edhe për këto çështje:
7. Cilat janë shkaqet konkrete të krizës financiare me të cilën përballen operatorët e transportit publik urban?
8. Kush po zhvillon aktualisht kontakte ose negociata, në emër të Bashkisë Tiranë, me Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas, Shoqatën e Transportit Urban dhe Interurban, si dhe me institucionet qendrore përgjegjëse?
9. Cilat janë veprimet konkrete të Bashkisë Tiranë për të parandaluar pakësimin e autobusëve në qarkullim dhe për të garantuar vijimin normal të shërbimit të transportit publik?
10. A është zhvilluar deri tani ndonjë komunikim zyrtar për këtë çështje? Nëse po, kërkohet të vihet në dispozicion një kopje e korrespondencës përkatëse.
Për sa më sipër, kërkoj:
1. Thirrjen e një seance urgjente ose të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, me rend dite situatën e drejtimit të Bashkisë Tiranë dhe krizën e paralajmëruar në transportin publik urban.
2. Dhënien e përgjigjeve zyrtare me shkrim për secilën prej çështjeve të ngritura, brenda afateve të përcaktuara nga ligji dhe rregullorja e Këshillit Bashkiak.
3. Dorëzimin e të gjithë dokumentacionit zyrtar mbështetës, duke përfshirë aktet administrative, korrespondencën institucionale dhe informacionin financiar përkatës.
Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtë ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin përgjegjës për administrimin e buxhetit dhe shërbimeve të kryeqytetit. Po ashtu, ata duhet të kenë sigurinë se shërbimet publike thelbësore, përfshirë transportin urban, nuk kërcënohen nga paqartësia institucionale.
Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë, ju falënderoj.
Ilda ZhulaliKëshilltareNënkryetare e GrupitPartia Demokratike
