Interi e ka nisur sezonin e ri në Serie A me dy fitore radhazi, pasi triumfoi 1-0 në transfertë ndaj Cagliarit të dielën mbrëma.
Vendimi i takimit u mor që në minutën e nëntë. Nicolo Barella asistoi për Hakan Calhanoglun, i cili me një goditje të bukur nga jashtë zonës e dërgoi topin në rrjetë dhe i dha Interit avantazhin.
Të lidhura
None found
Skuadra vendase u përpoq të reagonte, por zikaltrit vazhduan të ishin më kërcënues. Në minutën e 25-të, Manuel Akanji goditi me kokë pas një goditjeje të lirë, megjithatë topi kaloi pranë shtyllës.
Cagliari shpëtoi përsëri vetëm tri minuta më vonë, kur Federico Dimarco gjuajti nga brenda zonës dhe portieri Elia Caprile ndërhyri me një pritje fantastike.
Interi nuk u ndal së kërkuari golin e dytë. Në minutën e 33-të, Francesco Pio Esposito iu afrua realizimit, por mbrojtja vendase arriti ta bllokonte në mënyrë të shkëlqyer goditjen e tij.
Edhe pas pushimit të dy ekipet krijuan mundësi. Esposito provoi sërish në minutën e 54-të, por Caprile reagoi përsëri dhe bëri një pritje të bukur.
Cagliari kërkoi barazimin dhe në minutën e 61-të Alieu Fadera e vuri në provë Josep Martinezin me një goditje nga distanca, por portieri i Interit intervenoi me sukses.
Interi ishte pranë dyfishimit në fund të ndeshjes. Lautaro Martinez goditi fuqishëm në drejtim të shtyllës së majtë në minutën e 87-të, ndërsa Caprile reagoi shpejt për ta ndalur tentimin e argjentinasit.
Megjithëse rastet nuk munguan, shifrat mbetën të pandryshuara deri në vërshëllimën e fundit. Interi mori kështu tri pikët e radhës.
