Dy ditë pas eliminimit të Dinamos nga faza “play-off” e Conference League, kapiteni Bruno Dita ka reaguar përmes një postimi në Instagram. Skuadra kryeqytetase u mposht 4-2 në transfertë nga qipriotët e Pafos.
Mbrojtësi i bluve pranoi se zhgënjimi është i pranishëm në kampin dinamovit, por nënvizoi se përkushtimi i treguar nga lojtarët në fushë u jep të drejtën të largohen me kokën lart nga kjo aventurë e rëndësishme europiane, edhe pse nuk arritën ta përmbyllnin me sukses misionin historik.
Të lidhura
None found
Dita kritikoi ashpër edhe arbitrin kryesor të takimit, duke e cilësuar skandaloze mënyrën se si ai drejtoi përballjen. Sipas kapitenit të Dinamos, vendimet e tij rrëzuan ëndrrat dhe gjithë djersën e klubit dhe të futbollistëve në një moment kaq të rëndësishëm.
Në mesazhin e tij, kapiteni i Dinamos foli edhe për objektivat e skuadrës në sezonin e ri të kampionatit.
Netët europiane për këtë vit përfundojnë këtu.
“Largohemi me kokën lart dhe ndihemi krenarë për kontributin e çdo lojtari në fushë, si edhe për punën e të gjithë atyre që qëndruan në prapaskenë pranë klubit. Megjithatë, jemi shumë të zhgënjyer që ëndrrat dhe djersa e këtyre djemve u hodhën poshtë nga një paraqitje skandaloze e arbitrit në një fazë kaq të rëndësishme.”
“Ne do të vazhdojmë përpara, sepse padrejtësitë duhet të na bëjnë edhe më të fortë. Tani fokusi kalon te kampionati. Forca Dinamo.”
