Eksperti i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka shprehur shqetësimin se rehabilitimi publik i individëve të dënuar për krime lufte mund të ndikojë jo vetëm në mënyrën se si trajtohet e kaluara, por edhe në sigurinë e së ardhmes.
Të lidhura
None found
Si shembull, Kuçi ka përmendur Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Srbska, i cili vdiq dje. Sipas tij, mënyra se si Serbia dhe Rusia kanë glorifikuar figurën e tij u përcjell brezave të rinj idenë se krimet mund të arsyetohen kur kryhen në emër të kombit.
Ai vlerëson se në Rusi dhe Serbi është konsoliduar një lloj patriotizmi ku dhuna ndaj të tjerëve minimizohet ose justifikohet kur paraqitet si mbrojtje e interesave kombëtare.
“Sa më shumë që një autor krimesh paraqitet si ‘mbrojtës i interesit kombëtar’, aq më lehtë krimi i tij shndërrohet në ‘sakrificë patriotike’”, ka shkruar Kuçi në Facebook.
Kuçi ka theksuar se mbështetja dhe rehabilitimi i personave të dënuar për krime, përmes institucioneve, politikanëve dhe mediave, përcjellin një sinjal të rrezikshëm: krimi mund të relativizohet, të arsyetohet dhe madje të shpërblehet kur pretendohet se është kryer për kombin.
“Rehabilitohet edhe logjika që i prodhoi këta njerëz. Dhuna nuk shihet më si rrugë drejt përgjegjësisë, por si një rrugë e mundshme drejt statusit të patriotit”, ka nënvizuar ai.
Eksperti ka paralajmëruar edhe për pasojat që këto narrativa mund të kenë te brezat e rinj. Sipas tij, në Serbi dhe në Republikën Srpska vijojnë të përhapen qëndrime etnocentrike dhe armiqësore ndaj shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve dhe komuniteteve të tjera.
