Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar disa vendime gjatë një mbledhjeje elektronike. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrisë, të përcjellë nga “Bota sot”, vendimmarrja është përqendruar te sigurimi i barnave esenciale, përmbushja e detyrimeve operative dhe kontraktuale, si dhe funksionimi i institucioneve publike.
Të lidhura
None found
Një nga vendimet lidhet me kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për transferimin e 4,333,900€ (katër milionë e treqind e tridhjetë e tre mijë e nëntëqind euro). Shuma, e cila është deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht, do të përdoret për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
Ekzekutivi ka miratuar gjithashtu kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transferimin e 1,000,000.00€ (një milion euro), deri nën 20.68% të ndarjes së ndikuar negativisht. Këto mjete janë destinuar për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.
Miratim ka marrë edhe kërkesa e Komunës së Podujevës për transferimin e 300,000.00€ (treqind mijë euro). Kjo shumë përbën deri në 18.18% të ndarjes së ndikuar negativisht dhe do të shërbejë për përmbushjen e obligimeve kontraktuale.
Në të njëjtën mbledhje është përcaktuar lartësia e kompensimit mujor për anëtarët e Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” Sh. A.
Qeveria ka vendosur edhe për dhënien në shfrytëzim, për nevojat e Ministrisë së Drejtësisë, të hapësirës në Parcelën Kadastrale P-9012-0, me sipërfaqe prej 999 m². Prona i takon Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrjes së Pyjeve në Prizren.
Po ashtu, përmes një vendimi tjetër, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nominuar tre (3) përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
