Egnatia e ka nisur kampionatin “Abissnet Superiore” me një triumf 3-0 ndaj Tiranës. Pas përfundimit të takimit të zhvilluar në Rrogozhinë, trajneri i skuadrës fituese, Nevil Dede, analizoi paraqitjen e ekipit dhe rotacionet e përdorura.
Të lidhura
None found
“Rotacionet ishin të rëndësishme. Mora shumë përgjigje nga lojtarët që kishin pasur më pak minuta. Kemi përpara edhe kompeticionet europiane, ku Champions-i dhe Europa League janë sfida delikate dhe objektivat janë maksimalë. Pjesa e parë shkoi sipas pritshmërive tona dhe më la një shije shumë të mirë”, u shpreh Dede.
Sa i përket përbërjes së skuadrës dhe mundësive për të aktivizuar lojtarë të tjerë, trajneri i Egnatias tha se nuk mund të përcaktojë një projeksion të saktë, pasi klubi mund të rezervojë surpriza. Ai shtoi se në vëzhgim janë edhe futbollistët më të rinj, të cilët duhet të jenë të paktën në nivelin mesatar.
“Kur ke përpara ndeshje shumë të mëdha, si ajo që na pret tani, klubi ka gjithçka në dispozicion. Është ndërtuar për të fituar, jo vetëm në kampionat. Ka dinamika dhe nuk mund ta përcaktosh që tani se cili do të jetë projeksioni”, deklaroi ai.
Dede theksoi gjithashtu se lojtarët kanë nevojë për pushim, për shkak të intensitetit të ndeshjeve.
I pyetur për konkurrencën brenda grupit, trajneri e pranoi se në skuadër ekziston një hierarki, por nënvizoi se alternativa e çdo lojtari mbetet e rëndësishme.
“Është një konstatim i drejtë. Në skuadër duhet të ketë hierarki, por ajo shërben edhe për të motivuar djemtë që janë alternativa, pasi nesër mund të jenë titullarë. Nuk dua t’i përmend me emra, por secili dha sinjale pozitive”, tha Dede.
Trajneri i Egnatias pranoi se skuadra e tij pati edhe pak fat për shkak të problematikave të Tiranës, ndërsa shtoi se formacioni ishte vendosur paraprakisht.
“Patëm edhe pak fat me vështirësitë e Tiranës, sepse ndryshe historia mund të kishte qenë tjetër. Formacionin e kisha vendosur dhe nuk mund të bëj orakullin për të thënë nëse do ta fitonim apo jo në një mënyrë tjetër. Mesazhet e lojtarëve ishin të qarta dhe jam i lumtur për ta”, u shpreh ai.
Sa i përket gjendjes së Egnatias përpara udhëtimit në Norvegji, Dede tha se shpreson që rotacioni të ketë ndihmuar ekipin të menaxhojë më mirë intensitetin.
“Shpresoj që rotacioni t’ia ketë vlejtur, ashtu si edhe menaxhimi i intensitetit. Na pret një ndeshje e luftuar, në temperatura të kundërta me ato me të cilat jemi mësuar. Do të jemi gati për një përballje të fortë si skuadër, por duhet të jemi të përgatitur edhe psikologjikisht. Nëse jemi të barabartë, unë jam pak abuziv me lojtarët e mi”, tha trajneri.
Ai shtoi se Egnatia do të kërkojë ta marrë kontrollin e ndeshjes që në minutat e para, duke besuar se gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve.
“Do të përpiqemi që ta kontrollojmë ndeshjen që në fillim. Besoj se gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve tona. Më pas kemi Lillestromin dhe Vorën”, deklaroi Dede.
Duke folur për qasjen ndaj Tiranës dhe për sfidën e ardhshme me Lillestromin, trajneri shpjegoi se strategjia ishte përshtatur me kundërshtarin, pa ndryshuar në thelb.
“U përshtata me Tiranën. Strategjia ishte e njëjtë, pasi edhe trajneri i Tiranës nuk do të ndryshonte dhe në koncept do të ishte po ajo. Duhej të luanim agresivisht, si me Ajetin dhe Jagon. Nuk doja të shpenzonim shumë energji, jo sepse nuk e kërkoja fitoren ndaj Tiranës, por sepse dua të ruajmë sa më shumë energji për ndeshjen në Norvegji”, përfundoi Nevil Dede.
