Java e parë e Abissnet Superiore solli surprizën më të madhe në “Elbasan Arena”, ku Dinamo u mposht papritur 0-1 nga Vora. Në përfundim të takimit, trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja, foli për mediat dhe shpjegoi arsyet e humbjes.
Të lidhura
None found
“Që prej ndeshjes me Pafosin nuk kam qenë mirë, madje jam edhe me raport”, tha Daja duke qeshur. Ai theksoi se është e pamundur të përgatiten tri ndeshje brenda një jave, ndërsa pas kthimit nga Qiproja skuadrës i është dashur të zhvillojë katër takime në 9 ditë.
Sipas trajnerit, rotacioni ishte i pashmangshëm dhe pjesa dërrmuese e futbollistëve të aktivizuar i përkisnin formacionit të dytë. Daja deklaroi se stafi ishte i vetëdijshëm për këtë situatë, ndërsa skuadrës i mbetet vetëm një seancë stërvitore ditën e nesërme.
Ai vlerësoi se dueli me Pafos i tejkalon të gjitha pritshmëritë. Për këtë arsye, Dinamo u detyrua t’i kombinonte të dyja ndeshjet, pasi nuk kishte zgjidhje tjetër. Daja pranoi se në sfidën e sotme ndikuan të gjithë faktorët, veçanërisht aktivizimi i formacionit të dytë.
Trajneri nënvizoi se në fushë zbriti një përbërje që nuk kishte luajtur asnjëherë së bashku. Ai shtoi se skuadra provoi mundësitë e saj, por Ismaili nuk mund të aktivizohej nga minuta e parë, pasi rrezikonte të pësonte dëmtime serioze. Megjithatë, po të analizohet e gjithë ndeshja gjatë 90 minutave, Dinamo i pati rastet e veta, pavarësisht golit të pësuar.
Daja veçoi mundësinë e Farukut në nisje të pjesës së dytë, duke thënë se një gol në atë moment mund ta detyronte kundërshtarin të hapej dhe t’i krijonte Dinamos hapësira për tranzicione. Sipas tij, kur dy ndeshje miksohen në këtë mënyrë, rezultati përfundimtar bëhet një çorbë.
Tekniku deklaroi se takimi mund të vendosej vetëm nga episode të veçanta. Dinamo i krijoi mundësitë e saj, por nuk arriti t’i shfrytëzonte. Ai përmendi gjithashtu mungesën e Qardakut dhe atë të Malomos për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa çifti Dita-Aliji nuk luajti së bashku.
“Në rrethanat ku ndodhemi, kemi bërë gjithçka që kishim mundësi. Rotacione kaq të mëdha nuk i shërbejnë më manovrës së skuadrës, por synimit për të kapur çfarë të mundemi. Kjo ndeshje mund të na ishte kursyer. Megjithatë, e pranojmë verdiktin dhe do të vazhdojmë përpara”, përfundoi Daja.
