Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani është “shkatërruar”, gjatë një interviste telefonike me Michael Cohen, ish-avokatin e tij dhe një prej dëshmitarëve kryesorë kundër tij në çështjen gjyqësore që lidhej me marrëdhënien e Trump me aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels.
Të lidhura
None found
Sipas Trump, Teherani disponon ende disa raketa dhe dronë, por aftësia e tij për prodhim është e kufizuar. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara praktikisht e kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit dhe se shumë shpejt do të vendosin kontroll të plotë mbi të.
Paralelisht me këto deklarata, përplasjet në terren vijojnë të rëndohen. Televizioni arab Al Jazeera raportoi se forcat izraelite të mbrojtjes, IDF, po bllokojnë ambulancat që synojnë të shkojnë te palestinezët e plagosur pas sulmeve të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Incidentet dyshohet se janë regjistruar në Khirbet Deir Shams, në jug të Hebronit. Si pasojë e sulmeve ndaj banesave të tyre nga kolonët, tre palestinezë kanë mbetur të plagosur.
Po sipas Al Jazeera-s, ushtria izraelite ka bërë të ditur se trupat e saj kanë vrarë një palestinez pranë Jeninit, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Ushtria izraelite pretendon se personi u qëllua pasi “tentoi të godiste me thikë ushtarët gjatë një operacioni ushtarak”.
Këto zhvillime regjistrohen në një klimë tepër të tensionuar në Lindjen e Mesme. Deklaratat e Trump për gjendjen e Iranit dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim të ri të situatës në rajon.
