Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar masat ndëshkuese ndaj Kubës, në një tjetër përpjekje të administratës Trump për të rritur trysninë mbi regjimin komunist në Havana. Lajmin e bëri të ditur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili njoftoi sanksione ndaj individëve dhe subjekteve kubane.
Të lidhura
None found
Mes objektivave kryesore të paketës së re është Instituti Kuban i Miqësisë me Popujt (ICAP). Sipas Rubio, drejtuesit e këtij institucioni shfrytëzojnë programet e shkëmbimeve arsimore për të “identifikuar, rekrutuar dhe radikalizuar elementë subversivë”.
“Administrata Trump nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa një fuqi e huaj armiqësore përpiqet të shfrytëzojë liritë tona, duke mashtruar dhe korruptuar qytetarët amerikanë përmes gënjeshtrave, teknikave të spiunazhit dhe veprimeve të tjera të paligjshme”, deklaroi Rubio.
Sekretari amerikan e lidhi këtë veprimtari me përpjekjet e regjimit kuban për të përhapur në vende të ndryshme të botës “marksizmin, pakënaqësinë racore dhe dhunën komuniste”.
Washingtoni kishte vendosur sanksione ndaj ICAP edhe në muajin qershor. Në raundin e fundit janë përfshirë presidenti i organizatës, Fernando Gonzalez Llort, zëvendëspresidentja e parë Noemi Ramona Rabaza Fernandez dhe drejtoresha për Amerikën e Veriut, Leima Martinez Freire.
Rubio deklaroi se vetëm pak ditë më parë autoritetet kubane ishin përpjekur të përdornin 100-vjetorin e lindjes së ish-udhëheqësit komunist Fidel Castro për të aktivizuar sërish këtë rrjet. Në kuadër të kësaj nisme, një brigadë e re mbështetësish ndërkombëtarë u shoqërua drejt Havanës me synimin për të vendosur kontakte me përfaqësues të regjimit.
Sanksionet e reja shtrihen edhe ndaj katër subjekteve që veprojnë në industrinë minerare dhe sektorin e metaleve, pasi ato janë në pronësi të shtetit kuban ose kanë lidhje me regjimin.
Lista përfshin gjithashtu tre kompani të përfshira në veprimtari importi dhe eksporti. Këto biznese operojnë në sektorë të ndryshëm, mes tyre tregtia e automjeteve, pajisjeve industriale, elektroshtëpiakeve dhe materialeve të ndërtimit.
Masat e fundit dëshmojnë për rritjen e presionit të administratës Trump ndaj autoriteteve kubane dhe ndaj sektorëve që konsiderohen të lidhur drejtpërdrejt me regjimin e Havanës.
