Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se nga 6 deri më 17 gusht janë zhvilluar operacione në veri të vendit për zbulimin dhe sekuestrimin e armëve ilegale. Aksioni u krye në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Të lidhura
None found
Sipas Hoxhës, operacionet u ndërmorën në zonën e komunës së Zubin Potokut, pas informatave të siguruara përmes rrugëve të ndryshme operative dhe bashkëpunimit me qytetarë, të cilat ngrinin dyshime për posedim të armëve të paligjshme. Pas verifikimit të këtyre të dhënave, autoritetet kryen kontrolle në 45 lokacione.
Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u konfiskuan 20 mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore.
Policia sekuestroi gjithashtu 4,831 copë municion të kalibrave të ndryshëm. Në lokacione u gjetën edhe pjesë armësh, shumë tatujta, kondakë, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi dhe rreth 10 pesha apo magazina.
Mes pajisjeve të tjera të sekuestruara ishin thika ushtarake, gazmaska, 10 palë dylbi, radiolidhje, mbajtëse për radio, sepata ushtarake, arka druri për municione dhe mjete të tjera ushtarake. Po ashtu, autoritetet gjetën një numër të madh uniformash, çanta ushtarake, këmisha ushtarake të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë dhe pajisje të tjera të lidhura me fushën ushtarake.
Gjatë operacionit u sekuestruan edhe dokumente të mbrojtjes territoriale të Ish-Jugosllavisë, kartela të veteranëve të luftës, dokumente personale me numra serikë, ditarë të rojeve të pyllit dhe dorëshkrime të tjera për qëllime luftarake. Në mesin e materialeve të gjetura kishte gjithashtu leje për armë të shkurtra, leje për armë gjuetie dhe leje të tjera të skaduara.
Hoxha njoftoi se në kuadër të operacioneve u gjetën edhe mjete monetare në vlerën prej 9,600 euro dhe 5,000 franga.
