Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë publike dëshmi të tjera të rënda të studentëve të shoqëruar në komisariate, të cilët pretendojnë se janë dhunuar nga efektivë të policisë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, një i ri rrëfen se është goditur në pjesën e pasme të kokës dhe se ka shenja dhune edhe në pjesë të tjera të trupit. Ai thotë gjithashtu se policia i ka bërë presion për të pranuar se kishte hedhur molotov gjatë protestës, akuzë të cilën e mohon.
Të lidhura
None found
“Na kapin, na rrahin dhe na dhunojnë vetëm sepse po kërkoj të drejtën time. Më godisnin vazhdimisht pas koke. Më kërkonin të pranoja se kisha gjuajtur me ato që quhen…”, dëgjohet të thotë i riu.
“Molotov”, i përgjigjet një person tjetër.
“Nuk ua di emrin. ‘Pranoje’, më thoshin brenda. Kur hymë bashkë me atë djalin, thanë: ‘Këta respektojini, goditini’. Më kapën dhe më qëlluan gjatë gjithë kohës pas koke. Madje, siç mund ta shihni, më kanë çarë dhe më ka dalë gjak”, vijon dëshmia e të shoqëruarit.
Sipas Agron Shehajt, ndalimi dhe arrestimi i të rinjve që morën pjesë në protestë është kryer pa prova.
“Të rinj dhe të reja që protestuan në mënyrë krejt paqësore janë ndaluar dhe arrestuar. Pas përfundimit të protestës, ata janë ndjekur nëpër rrugica, janë dhunuar dhe më pas janë sjellë këtu. E gjithë kjo është bërë pa prova dhe në kundërshtim me ligjin. Biseduam me disa prej tyre dhe pothuajse të gjithë janë studentë”, deklaroi Shehaj.
Shehaj ka shkuar në komisariat së bashku me deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri. Ky i fundit ka treguar rastin e tre studentëve të rinj, të cilët sipas tij janë dhunuar dhe janë përballur me presion për të zbuluar kodet e telefonave dhe materialet që kishin regjistruar.
“Bëhet fjalë për Françeskun, Fernandon dhe Eugen… Ata janë 22, 19 dhe 22 vjeç. Sipas asaj që kanë treguar, janë marrë me forcë dhe janë rrahur në furgonët e Operacionales.
U është kërkuar të japin kodin e telefonit, me qëllim kontrollin e veprimeve të tyre në pajisje. Pasi kanë refuzuar, dhuna ndaj tyre është shtuar. Aktualisht ndodhen në qeli, ndërsa familjarët dhe avokatët ende nuk janë njoftuar. Ne po sigurojmë një avokat për ta dhe po kujdesemi që familjet të mësojnë çfarë ka ndodhur dhe të shkojnë të kujdesen për fëmijët e tyre”, u shpreh Kapri në videon e publikuar në rrjetet sociale.
Më herët, Agron Shehaj kishte publikuar edhe dëshminë e një vajze protestuese. Ajo tha se policia e kishte ndjekur deri pranë banesës dhe e kishte ndaluar, duke i kërkuar shpjegime për destinacionin e saj.







