Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, ka reaguar ndaj raportimeve për vdekjen e një pacienteje me kancer të avancuar të gjirit. Organizata “Renesansa” kishte thënë se pacientja kishte qëndruar rreth katër muaj pa terapinë me Palbociclib.
Kurtishi ka hedhur poshtë pretendimin se mungesa e barit në Klinikën e Onkologjisë i kishte lënë pacientët pa këtë trajtim për katër muaj. Sipas tij, furnizimi me Palbociclib është zhvilluar sipas planifikimit të paraparë.
Të lidhura
None found
“Klinika e Onkologjisë sqaron se nuk ka pacientë që kanë mbetur për katër muaj pa terapinë me Palbociclib, siç shkruhet, për shkak të mungesës së këtij bari në Klinikë. Furnizimi me këtë medikament ka ndjekur dinamikën e paraparë të furnizimeve spitalore për të gjithë pacientët që trajtohen në institucionin tonë”, ka deklaruar Kurtishi.
“Renesansa” kishte njoftuar se pacientja, e cila vuante nga kanceri i avancuar i gjirit, kishte ndërruar jetë. Organizata pretendoi se pas ndërprerjes së terapisë për afërsisht katër muaj, asaj i ishin shfaqur metastaza të reja në tru. Sipas saj, pacientja nuk kishte mundur ta blinte vetë medikamentin, i cili kushton deri në 1 mijë e 800 euro.
Duke iu përgjigjur kësaj çështjeje, Kurtishi tha se kanceri metastatik i gjirit është sëmundje agresive dhe e ndërlikuar. Ai shpjegoi se terapitë, përfshirë Palbociclibin, synojnë ta ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, por nuk e ndalojnë atë domosdoshmërisht plotësisht.
“Te disa pacientë, për shkak të specifikave biologjike individuale të tumorit, sëmundja zhvillon rezistencë dhe shfaq metastaza të reja (përfshirë ato në tru) edhe përgjatë kohës kur pacienti është nën terapi të rregullt”, ka theksuar ai.
Drejtori vlerësoi se, pa shqyrtuar të gjithë historinë mjekësore të pacientes, lidhja e përkeqësimit të gjendjes së saj me vetëm një faktor nuk qëndron nga ana mjekësore.
Sipas Kurtishit, pas reagimit publik QKUK-ja ka komunikuar me “Renesansën”. Përfaqësuesit e organizatës, siç tha ai, kanë konfirmuar se pacientja po përballej për herë të dytë me sëmundjen, e cila ishte në stad të avancuar dhe shoqërohej me metastaza.
Kurtishi njoftoi se të enjten do të bëhen publike edhe të dhëna nga historia mjekësore e pacientes, duke respektuar rregullat ligjore të konfidencialitetit.
“Nesër do të publikojmë edhe historinë mjekësore, sigurisht duke ruajtur të gjitha normat e konfidencialitetit sipas ligjit në fuqi, ku specifikohen edhe detajet për marrjen e terapisë së përmendur”, ka deklaruar ai.
Në përfundim të reagimit, drejtori i shprehu ngushëllime familjes së pacientes dhe kritikoi publikimin e pretendimeve, të cilat, sipas tij, mund të shtojnë pasigurinë dhe shqetësimin te pacientët onkologjikë dhe familjarët e tyre.
Ai shtoi se Klinika e Onkologjisë është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet përkatëse dhe të japë sqarime për trajtimin e pacientëve.






